E martë, 26 Nëntor, 2024

Sekuestrohen 100 kg kokainë në një anije mallrash në Norvegji, 6 shqiptarë në pranga, mes tyre 1 grua

Sekuestrohen mbi 100 kilogramë kokainë në një anije mallrash që ishte ankoruar në Husnes të Norvegjisë. Shërbimi Doganor Norvegjez, në bashkëpunim me rojet bregdetare dhe policinë, zbuluan drogën e cila ishte fshehur në një anije mallrash që vinte nga Amerika e Jugut.

Gjatë operacionit natën e së enjtes më 13 prill, në Husnes në Kvinnherad, u arrestuan 5 meshkuj dhe 1 femër, të gjashtë janë nga Shqipëria, të moshës 20-40 vjeç. Policia beson se personat përbëjnë një grup të organizuar kriminal.

Mediat e huaja raportojnë se shqiptarët mësohet se kanë qëndruar në Norvegji vetëm disa ditë para se të arrestoheshin pas zbulimit të sasive të mëdha të drogës. Një pronar në zonën e Rosendal ka thënë se katër persona hynë në një nga shtëpitë që ai jep me qira të martën.

“Këtu shohim se si anijet e mëdha përdoren për të transportuar drogë nën vijën ujore, shpesh pa dijeninë e ekuipazhit”, thotë menaxheri i zonës Bård Ynnesdal në Departamentin e Doganave. Sekuestrimi është kapja më e madhe e kokainës në Norvegjinë Perëndimore dhe renditet ndër konfiskimet më të mëdha të kokainës në shkallë vendi, shkruan agjencia më tej.

Sipas RUSinfo, kokaina ka një çmim në rrugë ndërmjet 800 dhe 1200 NOK për gram. Kjo do të thotë se konfiskimi në Husnes ka një vlerë prej rreth 100 milionë NOK të shitura në rrugë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit