E martë, 26 Nëntor, 2024

Testohet votimi elektronik në Elbasan, kreu i KQZ: Do të jetë 100% i sigurt, nuk mund të preket nga sulmet kibernetike

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ishte i pranishëm ditën e sotme në Elbasan teksa u krye testimi i votimit elektronik.

Për mediat, Celibashi u shpreh se pajisja ka siguri 100%, e se nuk ka asnjë mënyrë për të identifikuar votën e votuesve.

Më tej, ai shton se kompania s’ka mundësi për të verifikuar mbi votën e qytetarëve.

“Nga pikëpamja e sigurisë dhe fshehtësisë së votës, pajisja ka siguri 100%. Nuk ka asnjë lloj mënyre për të identifikuar votën e votuesve.

Garantohet fshehtësia ndaj do t’i ftoja votuesit e këtyre 3 bashkive që pa hezitim të votojnë për kandidatët, pa qenë në dyshim që vota e tyre do të jetë publike. Pajisja dhe sistemi i ofron të gjitha, as sistemi i zgjedhjeve, as kompania s’ka mundësi për të verifikuar mbi votën e qytetarëve.

Nëse ka një gjë që sistemi e ndalon është votimi familjar se mund të paraqitet vetëm 1 votues që nëse do të duhet, me këshillimin e një përfaqësuesi teknik do të ndihmohet në procesin e votimit por pa u identifikuar zgjedhja.

Kemi sjellë në Elbasan në tre pika, në bashkinë e Kamzës në 2 ambiente dhe në bashkinë e Vorës në 1 ambient për t’u familjarizuar. Këto do të qëndrojnë deri para zgjedhjeve ndaj i nxis partitë politike dhe mediat që të nxisin qytetarët të testojnë pajisjen”, tha Celibashi.

Votimi elektronik është aktualisht në Elbasan në tre pika, në bashkinë e Kamzës në 2 ambiente dhe në bashkinë e Vorës në 1 ambient.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit