Shpesh prindërit janë shumë të lumtur kur lind një fëmijë, kur buzëqesh për herë të parë, kur hedh hapat e para, kur pinjollët e tyre bëjnë përjetimet e para të jetës. Këto momente shpesh fiksohen edhe nëpër fotografira që i tregohen me krenari rrethit familjar dhe të njohurve. Kjo gjë mund t’i hipë nervat dikujt, por nuk është kthyer asnjëherë në problem kur albumi i fotografive ka përfunduar më pas në sirtar. Por me fillimin e mediave sociale, gjithnjë e më shpesh fotografitë e fëmijëve shpërndahen edhe publikisht në internet, dhe një gjë e tillë mund të jetë me pasoja të padëshiruara.
1300 fotografi para mbushjes së 13 vjeçëve
“Në fund të fundit shpesh kemi të bëjmë me bërjen të njohur të dikujt, me anë të mekanizmave si likes ose zemra”, shpjegon Sophie Pohle, referente për mësimdhënien e mediave në organizatën gjermane për mbrojtjen e fëmijëve, Deutschen Kinderhilfswerk, në Berlin.
Në internet hidhen mes të tjerash fotografitë e imazheve të bëra me ultratinguj të fëmijëve në barkun e nënën, fotografi të bëra në plazh, në festat e ditëlindjeve ose ceremoninë e fillimit të shkollës. “Në princip nuk ka asnjë gjë që të mos tregohet me fotografitë që hidhen në internet.” Nganjëherë madje fotografitë e bebeve përdoren për të bërë reklama për shitje produktesh, influencuesit i përdorin ato për produkte kozmetike ose veshje për fëmijë. Por çdo njeri ka të drejta mbi fotografinë e tij, dhe kjo gjë vlen edhe për fëmijët, e veçanërisht për ata.
Që në vitin 2018, ish e ngarkuara me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në qeverinë angleze, Anne Longfield, paralajmëronte në një raport të saj se në internet qarkullojnë mesatarisht 1300 fotogafi për çdo fëmijë, para se të ketë mbushur moshën 13 vjeçare. Ky fenomen ka arritur madje të ketë një emërtim të vetin: “Sharenting”, fjalë e përbërë e krijuar nga fjalët angleze “to share” (të shpërndash) dhe “parents” (prindër).
Postimi i fotografive në rrjet është me pasoja
Por rrjeti i internetit nuk harron asgjë. Kjo fjali e dëgjuar shpesh mund të kthehen vërtet në problem. Për shembull kur fëmijët nuk janë të kënaqur me fotografimet që u janë bërë. “Fëmijët mund të kenë turp për fotografitë që prindërit kanë shpërndarë duke menduar se në to fëmija duket i ëmbël ose i lezetshëm”, shpjegon referentja e Deutschen Kinderhilfswerkes. “Dhe kur këto fotografi përfundojnë në qarkullim publik, atëherë ato mund të kthehen në objekte sulmi për të bërë tallje, ofendime, bullizëm ose komente të mbushura me urrejtje.” Po ashtu edhe më vonë kur gjatë aplikimit për punë shefat e kuadrit kërkojnë në goggle emrat e aplikuesve, dhe marrin si rezultat fotografi të pakëndshme atëherë kjo gjë kthehet në problem”. Për t’i hapur sytë njerëzve për këto rreziqe, bloggerja Toyah Diebel ka filluar që në vitin 2019 me projektin #deinkindauchnicht (asfëmijajot).
Përveç kësaj, shpesh në fotografi nuk duket vetëm fëmija, por edhe ambienti personal i tij: dhoma, banesa, bahçja. Në tekstin e postuar bashkë me fotografinë lexohen edhe të dhëna të tjera, si për shembull emri i fëmijës, dita e lindjes. “Nëpërmjet këtyre të dhënave të ndërthurura mund të merret vesh madje edhe ku jeton fëmija,” thotë duke paralajmëruar për rreziqet, Sophie Pohle.
Kjo gjë nuk përbën problem vetëm për arsye të mbrojtjes së të dhënave: “Natyrisht që gjithnjë ekziston rreziku që informacione dhe fotografi të tilla të bien në duar të gabuara, dhe të qarkullojnë për shembull në rrethet e pedofilëve.”
Që në vitin 2019, portali i internetit krijuar nga federata dhe landet gjermane, Onlineportal jugendschutz.net ka bërë të ditur në një raport se “instagrami keqpërdoret për të lidhur me njëri tjetrin njerëz meinteresa seksuale ndaj fëmijëve. Fotografitë e fëmijëve mblidhen për shembull, komentohen me komente seksuale ose shoqërohen dhe shpërndahen me hashtags”.
Shpesh nënvleftësohet fakti që: “Prindërit janë relativisht të vetëdijshëm se postimi publik i fotografive në Facebook, TikTok ose Instagram është problematik”, shpjegon Sophie Pohle. “Por njëkohësisht ata mendojnë se Messenger e Whatsapp janë relativisht privatë dhe shpërndajnë atje pa hezituar.” Përshembull duke përdorur funksionin e statusit, që çdo person që bën pjesë në grupin e të njohurve të ketë të drejtë t’i marrë fotografitë. “E rëndësishme këtu është niveli i vetëdijes së prindërve për këtë pikë, dhe si pasqyrohet kjo në rregullimet që i janë bërë sferës private në rrjetet e caktuara të internetit. Pyetja është a i shpërndaj unë fotografitë vërtet në publik apo vetëm për ata që më ndjekin?”, thotë Pohle. Por edhe në bisedat private në Privatchat nuk mund të jesh i sigurt se një fotografi e bashkëbiseduesit nuk u jepet të tjerëve, pa pyetur më parë. Prandaj organizata gjermane Deutsche Kinderhilfswerk ka nxjerrë një udhëzues të vetin për çfarë duhet patur parasysh kur postohen në internet fotografi fëmijësh.
Francë: Ndalim me ligj i shareting
Për të kufizuar shpërndarjen pa kufi të fotografive, edhe të atyre që shkelin dinjitetin e njeriut, Franca është duke hedhur tani një hap që nuk e ka hedhur asnjë vend tjetër në botë: Franca do që të ndalojë me ligj prindërit që të mos shpërndajnë në mediat sociale fotografi të fëmijëve, pa marrë më parë pëlqimin e tyre. Në rastet kur ekzistojnë pikëpamje të ndryshme të prindërve, atëherë mund të ndalohet njëri prind që të mos bëjë publikim dhe dërgim të fotografive të fëmijëve, pa marrë pëlqimin e prindit tjetër. Në rastet ekstreme prindërit mund të humbasin madje të drejtën e tyre për të zotëruar fotografi të fëmijëve të tyre.
Kujdes të veçantë projektligji i ri i kushton “shfrytëzimit të fotografive të fëmijëve në platformat online”. Kështu për shembull të ardhurat që nxirren nga përdorimi komercial i fotografive të fëmijëve, duhet të dërgohen në një numër llogarie bankare, të cilën fëmija mund ta përdorë vetë kur të mbushë moshën 16 vjeçare. Përveç kësaj mund të krijohet një “e drejtë për tu harruar”, që të zbatohet në rast se fëmijët kërkojnë me dëshirën e vet që të largohen nga rrjeti fotografi dhe video, që i kanë shpërndarë vetë.
Fëmijët duhet të pyeten kur publikohen fotografitë e tyre
Sophie Pohle e vlerëson në përgjithësi pozitivisht projektligjin francez. Sepse ai forcon më shumë të drejtat personale të fëmijëve, të ankoruara tashmë në Konventën e OKB për të drejtat e minorenëve. “Ai nuk ka të bëjë me ndalimin në përgjithësi të postimit të fotografive të fëmijëve, por ndalimin e shpërndarjen e tepruar dhe trajtimin jodinjitoz të tyre në mediat sociale,” thotë Pohle.
“E drejtë mbi fotografinë personale, do të thotë që çdo njeri duhet të vendosë vetë cilat fotografi të tij duhet të bëhen publike dhe cilat jo. Dhe duke patur parasysh të drejtat e fëmijëve është shumë e rëndësishme, që fëmijët të marrin pjesë në një vendim të tillë dhe “Jo-ja” e fëmijët të pranohet nga prindërit, dhe të mos anashkalohet lehtë.”
Në vendet e tjera të botës nuk ka patur deri tani një projektligj të tillë si në Francë. Prandaj, thotë Sophie Pohle, puna sqaruese është mjeti më i rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve nga pasojat e padëshiruara të Sharenting. Në kopshtet e fëmijëve, në shkolla, në platformat e mediave sociale, por edhe tek vetë prindërit. Familjet duhet në radhë të parë të zhvillojnë “një mirëkuptim të përbashkët si të sillen me respekt dhe përgjegjësi me fotografitë e njëri tjetrit”, thotë Pohle. “Sepse sapo të marrin celularin e vetë në dorë, fëmijët do të qarkullojnë vetë në mediat sociale dhe sigurisht që do të ketë mësuar nga familja si duhet vepruar për gjëra të tilla.”/DW