Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut dhe të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, operacionin policor antidrogë të koduar “Pragu”.
Falë shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit me strukturat e DVP Korçë, shërbimet e Policisë Kufitare të Kapshticës kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjetin kamion tip “Man”, me drejtues shtetasin Dorjan Totoshi dhe pasagjer shtetasin Mariglen Kristo.
Nga kontrollet e imtësishme në kamion dhe ndaj këtyre shtetasve, u gjetën 4 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe heroinë (rreth 1.1 kg heroinë dhe 750 gr kokainë), të cilat i kishte fshehur në trup, pasagjeri në këtë automjet, shtetasi Mariglen Kristo.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit Dorjan Totoshi, 36 vjeç dhe Mariglen Kristo, 29 vjeç, të dy banues në Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, sasitë e lëndëve narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.