E enjte, 28 Nëntor, 2024

Deklarata e fortë e Kurtit: Bojkotimi i zgjedhjeve nga serbët në veriun e Kosovës, pasojë e kërcënimeve nga Beogradi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fajëson Beogradin për bojkotimin e zgjedhjeve të së dielës në komunat veriore nga qytetarët serbë. Në një reagim në mediat sociale, Kurti shkruan se “atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët”

Më tej ai shton se bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se 1 mijë e 567 qytetarë apo 3.47 për qind e rreth 45 mijë votuesve të regjistruar, hodhën votën e tyre të dielën në zgjedhjet për kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Sipas rezultateve paraprake, kandidatët e lëvizjes Vetëvendosje fituan në Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata të Partisë Demokratike të Kosovës në Zveçan dhe Zubin Potok.

Zgjedhjet u zhvilluan pa ndonjë incident ndërsa vëzhguesit tërheqin vërejtjen se sfida e vërtete do të mund të shfaqet kur të fillojë zbatimi i rezultateve të tyre./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit