Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, vendosi të hënën që anëtari i katërt në Grupet e Numërimit të Votave, do të caktohet me short mes Partisë së Lirisë dhe Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, duke e lënë koalicionin opozitar “Bashkë Fitojmë” pa numërues në gjysmën e vendit.
Siç bëri me dije Celibashi, Partia e Lirisë dhe PDIU do të kenë mundësinë që të propozojnë secila anëtarë në 50 për qind të grupeve të numërimit në vend, pasi u konsideruan parti opozitare me numër të barabartë deputetësh.
Partia e Lirisë pretendoi se i takonte asaj anëtari i katërt në të gjithë GNV-të dhe se PDIU nuk ishte një parti opozitare, por u kundërshtuan nga PDIU.
Grupet e numërimit përbëhen nga 4 anëtarë, ku dy anëtarë ndahen mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa anëtari i tretë dhe i katërt caktohet nga partitë e vogla të mazhorancës dhe opozitës.
Si parti e dytë e maxhorancës, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit vendosi të mos e ushtrojë këtë të drejtë, ndaj Celibashi tha se anëtari i tretë i GNV-ve do të propozohet sërish nga PS. Tashmë PS do të ketë 2 anëtarë, një PD e Alibeaj dhe 1 do ndahet mes PL dhe PDIU./btvnews.al