“Qytetarët duhet të zgjedhin krahun e historisë më 14 Maj”, deklaroj kryetari i Partisë Socialiste në një prononcim për mediat para selisë.
Deklaratat kryeministri Edi Rama i bëri pas perfundimit të mbledhjes së kryesisë së partisë Socialiste.
Zgjedhjet vendore, Rama i konsideron si moment vendimtar për bashkëpunimin mes qeverisë dhe pushtetit lokal.
E në këtë aspekt, kryesocialisti është i bindur se kandidatët e majtë do të shpërblehen për punën që kanë bërë gjatë këtyre viteve, por sipas tij, vota do të jetë edhe motivim për në vijim.
Kreu i ekzekutivit foli edhe për situatën ekonomike të Shqipërisë, të cilën e krahasoi me daljen nga një kthesë e madhe. Rama theksoi se synimi i qeverisë së tij është rritja e pagës minimale në 450 mijë Lekë të vjetra në vitin 2025 dhe ambicia në 600 mijë Lekë të vjetra.
“Unë besoj që do kemi një rezultat shumë kuptimplotë për të gjithë dhe mbi të gjitha një rezultat aq sa do na shpërblejë për punën që kemi bërë aq do na motivojë për punën që duhet të bëjmë.
Kundërshtarët tanë të vërtetë janë problemet që ka çdo bashki dhe janë problemet që kemi për të adresuar dhe zgjidhur si vend. Jemi në një moment të jashtëzakonshëm për nga shumë elementë sepse po dalim nga një kthesë e madhe e fortë në planin ekonomik. E ndoqët raportin e fundit të Bankës Botërore për rajonin dhe vlerësimet shumë domethënëse për ekonominë shqiptare ashtu sikundër përtej raportit të Bankës Botërore apo analizës së strukturës dhe qëndrueshmërisë së ekonomisë, fakti që jemi në një moment ku kemi nisur rritjen më të lartë të pagave historike në këto 3 dekaada flet qartë për rritjen e mundësive të ekonomisë, fakti që kemi një rritje të pagës minimale përtej parashikimeve në programet elektorale ku paga minimale parashikohej të arrinte në 38 mijë lekë brenda 2025 ndërkohë që sot jemi në 40 mijë lekë dhe brenda 2025 duam të shkojmë në 45 mijë lekë. Ambicia jonë është që më shpejt se vonë të arrijmë 60 mijë lekë pagë minimale.
Këto fakte flasin për një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe domosdoshmërinë për të shkuar vetëm përpara. Në 14 Maj do vendoset fuqia e bashkëpunimit mes qeverisë qëndrore dhe qeverive vendore, këto zgjedhje kanë dhe një komponent tjetër që nuk mund ta anashkalojmë dhe askush nuk mund ta fshehë që në 14 Maj njerëzit duhet absolutisht të qëndrojnë në krahun e historisë dhe krahu i duhur nuk është thjesht PS por është të qëndrosh në krah të aleancave strategjike të Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Zgjedhjet e 14 Majit/ Rama: Kandidatët e opozitës janë vënë për të ngritur barrikada me qeverinë
Kryeministri Edi Rama ka sqaruar deklaratën e bërë në fundjavë nga Kamza kur tha se nuk do të ketë bashkëpunim të qeverisë me bashkitë ku fitojnë kandidatët e opozitës.
I pyetur nga gazetarët për këtë deklaratë pas mbledhjes së Kryesisë së PS, Rama tha se kjo deklaratë nuk është presion, por kandidatët e koaliconit “Bashkë Fitojmë” i konsideron si kukulla që janë caktuar për të ngritur barrikada mes qeverisë qëndrore dhe bashkive.
“Unë kam folur për kukulla të një çifti ku kemi një non grata, kemi thirrje të përsëritur të SHBA për të bërë shumë kujdes në këtë pikë sepse zgjedhja është e shqiptarëve por edhe cilësia e marrëdhënieve dhe natyra e raporteve me Shqipërinë është e aleatëve tanë. Ata e vendosin se çfarë natyre kanë raportet e tyre me ne. Ka dhe një komponent tjetër. Ky nuk është presion, kjo është një mënyrë për t’ja thënë drejtpërdrejt njerëzve, këta kandidatë nuk janë vënë aty për të zgjidhur hallet dhe problemet e komunitetit dhe për të çuar më tutje punën, por janë vënë aty për të krijuar oaze të luftës politke për të ngritur barrikada me qeverinë qëndrore dhe për t’i trajtuar bashkitë si pengje lufte. Kështu që ne do bëjmë tonën në çdo bashki”.
E për mungesën e bashkëpunimit mes qeverisë dhe bashkive, Kryeministri Edi Rama solli shëmbullin e Shkodrës që drejtohet nga të djathtët.
“E kemi pasur zero bashkëpunimin me Shkodrën, për arsye se kandidatët e këtyre forcave i përkasin një familje të shthurur politike e cila kurrë nuk ka pasur cilësinë të drejtojë në funksion të njerëzve dhe komuniteteve. Shkodra sot është i vetmi qytet i Shqipërisë ku plehrat rrinë mbi kazanë me ditë të tëra dhe nuk mblidhen. Kështu që është një situatë e jashtëzakonshme sepse zgjedhja është midis një force të madhe politike e cila ka treguar se ç’di të bëjë, jo se i kemi të gjitha mirë, por që ka vullnetin të bëjë edhe më shumë akoma. Politikisht është një vend që s’ka qenë kurrë më i respektuar dhe më i rëndësishëm në rajon dhe në tryezën e madhe të përbashkët të komuntetit politik europian”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
“Kundërshtarët tanë i zgjedh vota e shqiptarëve”, Rama: Ofendim të bëj krahasime mes meje dhe “non gratava”
Posterat e vendosura në kuadër të fushatës elektorale të 14 Majit ka qenë një ndër çështjet për të cilat është pyetur kryeministri i vendit Edi Rama pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së.
I pyetur se pse thotë që nuk i konsideron fare si kundërshtarë politikë, kryetarin e PD-së Sali Berishën dhe kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Metën, ndërkohë që në postra ka figurat e të dyve, Kryeministri Rama ka thënë se nuk ka krahasim mes tij dhe atyre pasi thotë se është “ofendim” për të ta mendojë diçka të tillë.
Rama ka thënë se në poster është e ardhmja dhe e shkuara teksa ka shtuar se Berisha dhe Meta sipas tij duhet të merren me problemet që kanë me drejtësinë dhe se drejtësia do të veprojë më herët se sa vonë.
Kryeministri Rama ka deklaruar se kundërshtarët e tij nuk i zgjedh ai, por vota e shqiptarëve.
Edi Rama: Unë nuk bëj asnjë krahasim se është ofendim për mua dhe për socialistët që të bëj krahasime mes meje dhe “non gratava” apo një zorre qorre që është në trupin e Shqipërisë si një torturë, por që duhet operuar. Unë flas për sot, sot po rriten rrogat dhe që Shqipëria të kishte një rrogë mesatare 900 Euro, këtë nuk mund ta imagjononte tjetër kush dhe jo më që ta bënte. Unë nuk krahasohem, në poster është e ardhmja dhe e shkuara. Ne nuk e zgjedhim se kush janë kundërshtarët tanë, i zgjedh vota e shqiptarëve. Ka një pjesë të shqiptarëve që vazhdojnë të zgjedhin njerëz që duhet të përballeshin me probleme që kanë me drejtësinë, që nuk kanë për t’u zgjidhur, drejtësia vonon. Do të shikoni që drejtësia do të veprojë më herët se sa vonë. Ajo që më neverit, këto njerëz kanë vënë në pikëpyetje dhe kanë marrë me vete një pjesë të shqiptarëve në raport me marëdhëniet me aleatët tanë. Nuk ka derë që hapet askund për ta, jo vota të marrin këta. Njerëzit duhet të ndahen nga këta sepse është puna e një frymë, e një historie të dhimbshme që duhet të ndëshkohet dhe do të ndëshkohet. /btvnews.al