E hënë, 21 Prill, 2025

Berisha përsërit thirrjen ndaj Ramës: E ftoj kryeministrin për debat në televizion

Sali Berisha ka përsëritur thirrjet ndaj kreu të qeverisë, Edi Rama për tu ballafaquar në një debat televiziv.

Por, theksoi ai, “Rama nuk mund të vijë në debat, rëndojnë afera të tmerrshme mbi shpatullat e tij dhe unë ia nxjerr dokumentet një nga një përpara shqiptarëve”.

Ndërkohë Berisha shtoi se kryeministri s’lejon as kandidatët e tij që të ballafaqohen me rivalët e “Bashkë Fitojmë”, sepse “mbi ta rëndojnë fatura dhjetëra milionë euro vjedhjesh nga më të ndryshme”.

Sali Berisha: “Edhe njëherë, dënoj me forcën më të madhe refuzimin e ballafaqimit të kandidatëve nga Edi Rama si një akt të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve shqiptarë.

Rama nuk i nxjerr kandidatët sepse mbi ta rëndojnë fatura dhjetëra milionë euro vjedhjesh nga më të ndryshme. U bëj thirrje mediave të vendosin në studio dy karrige dhe të ftojnë kandidatët për debat dhe të lënë bosh karrigen e kandidatit që nuk paraqitet.

Sikundër përsëris ftesën ndaj Edi Ramës, të vijë në debat, të paraqesë para shqiptarëve gjithçka ai e konsideron se i shërben interesit të pushtetit të tij. Nuk vjen dot. Unë e bëj këtë, por unë jam i bindur se ai nuk mund të vijë në debat. Rëndojnë afera të tmerrshme mbi shpatullat e tij. Dhe unë ia nxjerr dokumentet një nga një përpara shqiptarëve.

Unë do i rreshtoj jo vetëm vjedhjet e tij, por edhe me familjarët e tij në tendera.

Pra, Edi Rama nga njëra anë i fsheh kandidatët e tij, dhe vetëm pas denoncimeve të përsëritura të mia, nxori fytyrën e Lal Fallcit, se edhe atë e kishte zhdukur, nga ana tjetër nuk pranon debatet. Kjo është një fyerje e madhe për qytetarët.

U bëj thirrje qytetarëve të kërkojnë nga kandidatët të debatojnë, qoftë edhe në sheshet e qytetit.

Nga ana tjetër, u bëj thirrje gazetarëve të verifikojnë çdo pretendim, çdo pseudosukses që numërojnë sot sekti i rilindjes, sekti i vjedhjes. Rilindje do të thotë vjedhje sot për shqiptarët.” /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit