E hënë, 2 Dhjetor, 2024

Pse demokratët besojnë se Presidenti Biden do të fitojë sërish?

Sondazhet tregojnë se votuesit amerikanë, përfshirë demokratët, nuk duan që Presidenti Joe Biden të kandidojë sërish në vitin 2024, duke përmendur moshën e tij si një nga arsyet kryesore. Megjithatë, brenda partisë demokrate duket se nuk ka dyshime se ai do të fitojë përsëri.

Presidenti Joe Biden shpalli këtë javë kandidaturën për një mandat të dytë, pavarësisht mbështetjes së ulët në sondazhe dhe shqetësimeve të votuesve.

“Ai është shumë i moshuar për të kandiduar për president. Dua të them se je shumë i vjetër mik, duhet të pushosh, dil në pension”, thotë Audrey Frederick, banore e Ohajos.

Sondazhet tregojnë se 70 për qind e amerikanëve thonë se Presidenti Biden nuk duhet të kandidojë përsëri, duke përfshirë 51 për qind të demokratëve. Rreth gjysma e tyre përmendin moshën e tij si arsye për këtë.

Joe Biden është 80 vjeç dhe do të jetë 86 në fund të mandatit të dytë, nëse ai do t’i fitonte zgjedhjet e vitit 2024.

“Unë e respektoj faktin që ata janë duke e shqyrtuar këtë me kujdes, edhe unë do ta bëja të njëjtën gjë. Unë e kam shqyrtuar me vëmendje të madhe vendimin për të rikandiduar dhe jam i kënaqur dhe i entuziazmuar për të ardhmen.”

Presidenti Biden po shpreson që votuesit do të përqendrohen më shumë në përpjekjet e tij për rimëkëmbjen e vendit nga pandemia, krijimin e vendeve të punës dhe arritjet e tij legjislative.

Pa rivalë seriozë demokratë, ai e ka pothuajse të garantuar marrjen e emërimit nga partia e tij.

Pse demokratët besojnë se Joe Biden është kandidati i tyre më i mirë? Sepse si kandidat i qendrës së majtë ai ka më shumë gjasa për të marrë mbështetjen e votuesve të pavarur në shtetet si Uiskonsi, Arizona, Xhorxhia dhe Pensilvania, të cilat kanë të ngjarë të jenë përcaktuese në zgjedhjet e vitit 2024.

Ata besojnë se Presidenti Biden do të kishte një avantazh ndaj kandidatit republikan, pavarësisht nëse ai do të ishte ish-presidenti Donald Trump, i cili është 76 vjeç dhe përballet me akuza penale, ose dikush tjetër si guvernatori 44-vjeçar i Floridës, Ron DeSantis.

“Partia Republikane është zhvendosur aq larg djathtas dhe baza e tyre është bërë aq energjike saqë është pothuajse e pamundur që një i moderuar të mund të fitojë zgjedhjet paraprake të republikanëve. Ata duhet të përpiqen të tërheqin votuesit me pikëpamje më të djathta, populiste për të fituar zgjedhjet paraprake të partisë së tyre. Dhe ky nuk është një model i qëndrueshëm për të fituar zgjedhjet presidenciale”, thotë analistja demokrate Julie Roginsky.

Por zgjedhjet presidenciale do të mbahen pas 18 muajsh dhe shumë gjëra mund të ndodhin deri atëherë, duke përfshirë frikën më të madhe të demokratëve, shfaqjen e shenjave të dobësimit të gjendjes shëndetësore të Presidentit Biden.

Republikanët tashmë kanë nisur fushatën e tyre të reklamave kundër zotit Biden, në të cilat thonë se ai do të ishte “presidenti më i dobët” që ka patur ndonjëherë vendi, nëse ai do të fitonte edhe një herë tjetër./VOA

Artikuj te ngjashem

Me te fundit