E martë, 3 Dhjetor, 2024

Agjencia e OKB-së paralajmëron se konflikti në Sudan mund të shkaktojë krizë rajonale

Dhuna e vazhdueshme në Sudan mund të zhysë të gjithë rajonin e Afrikës Lindore në një krizë humanitare, ka paralajmëruar Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP).

“Një e treta e popullsisë së vendit ishte e uritur edhe para se të shpërthejnë luftimet. Tani ka mungesë të gjithçkaje dhe çmimet e ushqimeve po rriten në qiell”, tha për dpa Martin Frick, drejtor i WFP-së në Gjermani.

Rritje të ngjashme çmimesh po ndodhin edhe në shtetet fqinje si Sudani i Jugut. “Në Sudanin e Jugut, i cili po përballet me përmbytje në disa zona dhe thatësira në të tjera për shkak të krizës klimatike, çmimet e ushqimeve janë rritur me 28 për qind në një kohë shumë të shkurtër,” tha Frick.

Presidenti de fakto i Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan ka luftuar zëvendësin e tij Mohammed Hamdan Daglo me ndihmën e ushtrisë që nga 15 prilli.

Dy gjeneralët morën udhëheqjen e vendit prej rreth 46 milionë banorësh përmes dy grushteteve më 2019 dhe 2021. Qindra njerëz janë vrarë që nga fillimi i luftimeve dhe mijëra janë duke ikur nga vendi.

Qeveritë nga e gjithë bota kanë nisur misione evakuimi për t’i transportuar qytetarët e tyre. WFP-së i është dashur të pezullojë mbështetjen e saj për 7.6 milionë njerëz në vend si rezultat i luftimeve.

Sipas Frick, refugjatët që kanë gjetur strehim në Sudan, gratë shtatzëna ose fëmijët e kequshqyer nuk do të mbeten pa mbështetjen e WFP. “Sapo të lejojë situata e sigurisë, ndihma duhet të rifillojë”, tha ai./REL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit