Juria e Muza Competition ka përzgjedhur 10 finalistët që do të marrin pjesë në finalen e madhe që do të bëjë bashkë të gjitha trevat shqip-folëse në Tiranë në muajin qershor.
Në fazën fillestare aplikuan 1,000 të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilët prezantuan koleksionet e tyre në fushën e modës dhe të dizajnit.
Muza Competition është një projekt i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, i cili përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë në rijetëzimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajnit.
Finalja e madhe do të mbledhë të gjitha trevat shqip-folëse në Tiranë në muajin qershor, ku 10 finalistët do të mund të shfaqin koleksionin e tyre në një spektakël madhështor i cili do të kurorëzojë dhe fituesin e madh.
Juria prestigjioze e Muza Competition, pasi analizoi të gjitha aplikimet, arriti të përzgjedhë 10 finalistët, të cilët janë: Besa Mahmudi; Elitë Sherifi; Frenki Ceko; Frontin Hasani; Kevser Emini; Klara Kazani; Klevisa Shkaba; Liridona Hajdari; Sara Kadrija dhe Vitore Ndreca./btvnews.al