E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Propozimet fiskale, që nga kthimi i skemës së TVSH-së e deri te krijimi i fondit të garancisë

Shoqatat e biznesit, përveç masave në hartimin e strategjive sektoriale për nxitjen e prodhimit vendas e shohin të domosdoshme nga qeveria edhe marrjen e masave fiskale Nga 1 janari 2022 hynë në fuqi ndryshimet në ligjin për TVSH-në që parashikonin heqjen e TVSH-së së kreditueshme 6% për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, me qëllim zëvendësimin e tyre me subvencione direkte.

Me skemën e mëparshme, rimbursimi i TVSH-së ishte 20%, ndërsa nga 1 janari 2019, u ul në 6%. Përpunuesit kanë ngritur shpesh shqetësimin se mosrimbursimi i TVSh-së do të rrisë kostot dhe frenon formalizimin e sektorëve bujqësorë. Agim Rrapaj, drejtues i KASH, thotë se kjo masë në fuqi shkel një ndër parimet bazë të funksionimit të zinxhirit të TVSH-së, që është rimbursimi dhe nxit importin, duke konkurruar në mënyrë të padrejtë prodhuesit vendas.

DHTI-Tiranë, bashkë me disa organizata partnere biznesi, në fillim të 2023 i është drejtuar ministrit të Financave dhe Ekonomisë, si dhe Kryeministrit, me propozimin për ndërmarrjen e masave emergjente për industritë prodhuese deri në përfundimin e krizës. Sipas z. Jaka, këto masa përfshijnë që nga heqja e akcizës së gazit që hyri në fuqi në korrik 2022, taksa e pasurive deri te krijimi i një fondi garanci për kreditimin e prodhuesve.

“Të pezullohet detyrimi i parapagimit të TVSH-së në Doganë për importin e lëndëve të para për industritë prodhuese; Të bëhet menjëherë rimbursimi i TVSH-së së prapambetur; Të hiqet TVSH për të gjithë listën e makinerive dhe të pajisjeve, që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin, si dhe për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme fotovoltaike dhe eolike;

Të hiqet kufiri i TVSH-së për importin e makinerive që përdoren për investim, përjashtimi nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave, pasi rritja 10-fish e këtij tavani nga 50 milionë në 500 mln lekë po ndikon në uljen e interesit të investitorëve vendas dhe të huaj, për të investuar në teknologji, veçanërisht në të gjitha industritë prodhuese;

Të hiqet akciza për gazin. Ndryshimet që u miratuan nga qeveria për vendosjen e akcizës 6 lekë/litri aktualisht rëndon në kosto, një pjesë të madhe të prodhuesve që përdorin gazin si lëndë djegëse për prodhim industrial. Kompanitë që investojnë në energjitë e rinovueshme (dielli, era), deri në vitin 2030, të përjashtohen nga tatimfitimi; Të hiqet taksa e pasurive, sidomos për ndërmarrjet prodhuese dhe atyre që kanë sipërfaqe të mëdha, pasi kjo taksë po i rëndon së tepërmi;

-Të krijohet një fond garancie për kreditimin e industrive prodhuese nga bankat e nivelit të dytë. Nëpërmjet këtij fondi, i ngritur me kontributin e qeverisë dhe donatorëve, do të lehtësohet aksesi për kredi për bizneset që operojnë në sektorin e industrive prodhuese, agroindustrisë etj. Fondi i garancisë të operojë deri në 5 vjet, të krijojë kushte lehtësuese kreditimi, për një periudhë mospagimi deri në një vit, me interesa 0-1%.

Në kushtet e hapjes së tregut, si Ballkani i Hapur dhe tregu i BE-së, sektorë si industria përpunuese dhe bujqësia në veçanti do të kenë nevojë të menjëhershme për mbështetje buxhetore për të mundësuar konkurrimin në mënyrë të barabartë me vendet e rajonit dhe më gjerë.

E parë edhe në kuadrin e axhendës së gjelbër europiane, hartimi i politikave lehtësuese në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe eficiencës së energjisë mbetet përparësi dhe me shumë interes për sipërmarrjen, ku fillimi është tepër pozitiv për konsumatorët familjarë, që presim të mbështetet dhe lehtësohet edhe për vetëprodhuesit”./Monitor.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit