E premte, 29 Nëntor, 2024

Zelensky: Kievi do të fillojë kundërofensivën pa avionët luftarakë perëndimorë

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy tha se Kievi do të nisë ofensivën kundër forcave ruse pavarësisht se ende nuk është furnizuar me avionë luftarakë nga perëndimi. Zoti Zelensky në shumë raste ka bërë thirrje për zgjerimin e ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën.

“Të them të drejtën, do të na ndihmonte shumë. Por ne gjithashtu e kuptojmë se nuk mund ta zvarrisim kundërofensivën, prandaj do ta fillojmë atë para se të marrim avionë F-16 ose modele të tjera të avionëve luftarakë perëndimorë”, tha ai.

Duke folur me gazetarët skandinavë në Kiev, ai shtoi se disa vende, të cilat kanë avionë luftarakë F-16 dhe lloje të tjera avionëve perëndimorë, janë “të gatshëm të na ndihmojnë”. Zoti Zelenskiy nuk specifikoi se për cilat vende po fliste. Forcat ajrore ukrainase kanë vetëm avionë luftarakë të epokës sovjetike.

Presidenti Zelensky ushtroi trysni ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për këtë çështje në një takim në Kiev më 20 prill. Ai gjithashtu ka thënë se ka ardhur koha që aleanca ushtarake perëndimore të hapë dyert për anëtarësimin e Ukrainës.

Pasi përballoi ofensivat ruse gjatë dimrit dhe pranverës, të cilat rezultuan në përparime të vogla të trupave ruse në lindje, Ukraina tani shpreson të rimarrë rajonet e pushtuara në jug dhe lindje të vendit në një kundërofensivë në javët ose muajt e ardhshëm./Zëri i Amerikës

Artikuj te ngjashem

Me te fundit