E diel, 1 Dhjetor, 2024

Agresioni rus/ “Kemi paguar çmim të lartë”, Hungaria “sulmon” Ukrainën: Qytetarët tanë kanë humbur jetën në luftë

Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto duket se ka vënë në shënjestër presidentin ukrainas ndërsa tensionet diplomatike mes dy vendeve vazhdojnë të rriten.

Ai tha se njerëzit në vendin e tij “tashmë kanë paguar një çmim jashtëzakonisht të lartë për luftën në Ukrainë”, pasi Volodymyr Zelensky akuzoi qeverinë hungareze për “sjellje të papërshtatshme”.

Hungaria ka qenë anëtarja më ngurruese e BE-së për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ka shprehur kundërshtime ndaj vendeve perëndimore që dërgojnë armë në Ukrainë. Po ashtu është shprehur kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Kujtojmë se gjatë fundjavës së kaluar presidenti ukrainas, Zelensky tha se “Unë besoj se kjo është sjellje e papërshtatshme. Unë po ju jap mendimin tim subjektiv. Aleati nuk është vetëm një fjalë, është një substancë, është një bashkim shtetesh me të njëjtin këndvështrim për sigurinë dhe për vlerat. Ata trajtojnë ndryshe momente të caktuara, por ka një marrëveshje mes aleatëve, të cilët mbrojnë njëri-tjetrin dhe vlerat e tyre përkatëse”.

Nga ana tjetër, Szijjarto tha se hungarezët kanë ofruar “ndihmë të vazhdueshme” për Ukrainën dhe “pranojnë dhe kujdesen për më shumë se një milion refugjatë” nga vendi.

Ai shtoi se “disa hungarezë vdiqën në këtë luftë, anëtarë të komunitetit hungarez në rajonin Transkarpat”.

Muajin e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se të gjithë aleatët kishin rënë dakord që Ukraina të bëhej anëtare. Por kryeministri i Hungarisë Viktor Orban është shprehur kundër.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit