Nga Korriku reduktohen edhe Gjykatat Administrative në vetëm dy, në Tiranë dhe Lushnje
9 gjykata dhe prokurori të Shkallës së Parë në rrethe janë mbyllur. Për shkak të hartës së re gjyqësore, nga 22 gjykata që ishin do të mbeten vetëm 13 të tilla. Kjo është faza e dytë e reformës, me synim përshpejtimin e proceseve dhe dhënien e drejtësisë pa vonesa.
Gjykatat e Shkallës së Parë që mbyllen janë ajo e Tropojës, Matit, Kurbinit, Pukës, Krujës, Kavajës, Lushnjes, Përmetit edhe Pogradecit. Sipas Këshillit të Lartë të Prokurorisë, së bashku me to shkrihen edhe prokuroritë përkatëse të këtyre rretheve gjyqësore, që ka sjellë dërgimin e trupave gjyqësore dhe përfaqësuesve të akuzës në institucionet e reja të drejtësisë.
Gjykata dhe Prokuroria e Tropojës zhvendoset në Kukës, e Matit në Dibër, e Kurbinit në Lezhë, e Pukës në Shkodër, e Krujës në Tiranë, Kavaja i bashkëngjitet Gjykatës së Durrësit. Gjykimet dhe hetimet e çështjeve të Lushnjes kalojnë në Fier, të Përmetit transferohen në Gjirokastër dhe dosjet gjyqësore dhe hetimore penale dhe civile nga Pogradeci në Korçë.
Por paditë të cilat do të duhet të depozitojnë qytetarët do të vijojnë të dorëzohen në institucionet e mëparshme dhe më pas delegohen për gjykim dhe hetim në qytetet ku institucionet u përqendruan.
Kundër kësaj reforme janë prokurorët të cilët kanë ngritur shqetësimin pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë sa i përket transferimeve të tyre. E shohin të dyshimte për karrierën e tyre për shkak se disa prokurorë pa vjetërsi punë janë emëruar në prokurori të mëdha. Ata kanë paralajmëruar edhe padi kundër KLP-së.
Gjatë fazës së parë të aplikuar në muajin Shkurt u mbyllën të gjashtë gjykatat e Apelit në vend, të cilat u mblodhën në kryeqytet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Faza e tretë e reformës fillon nga muaji Korrik. Parashikohet reduktimi i të gjitha gjykatave Administrative dhe përqendrimi i tyre në vetëm dy, një në Tiranë dhe një në Lushnje.
Gjithsesi, sfidë e kësaj reforme mbetet numri i dosjeve të cilat prej kohësh kanë mbetur pa vendimmarrje ndërsa qytetarët presin për drejtësi nga institucionet e reja të reformuara. /btvnews.al