Segmenti i rrugës së Arbrit nga fshati Fshat deri në Qafën e Buallit u hap për qarkullimin e automjeteve vetëm dy ditë më parë, por drejtuesit e mjeteve kërkojnë që të ketë më shumë siguri në urën e Vashës.
Duke qenë se kjo urë është 152 metra e lartë, barrierat metalike janë domosdoshmëri pasi në rast se një mjet del nga rruga, hekurat që janë aktualisht nuk e përballojnë dhe mjetet mund të përfundojnë në lumin Mat.
Drejtuesit e mjeteve marrin si shembull aksidentin e ndodhur natën e 31 Dhjetorit të vitit të kaluar në urën e re të Gjoricës. Një mjet i cili devijoi nga rruga përfundoi në zallin e Bulqizës si rezultat i mungesës së barrierave mbrojtëse mbi urë.
Drejtuesit e mjeteve kërkojnë që edhe në urën e Vashës të përforcohet siguria. Nga ana tjetër, drejtuesit e mjeteve shprehen se inaugurimet e bëra deri tani kanë qenë me efekte elektorale pasi rruga ende nuk plotëson standardet e kërkuara./btvnews.al