E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Dita e Europës: Presidentja e KE, von der Leyen vizitë plot domethënie në Kiev

Në festimet e Ditës së Europës me 9 Maj, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Kiev. Politikanja gjermane ka udhëtuar me trenin e natës nga Polonia dhe takohet të martën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski ku do të theksojë mbështetjen e pakufizuar të BE për Ukrainën në luftë kundër Rusisë.

Von der Leyen e viziton kryeqytetin ukrainas, Kiev për herë të pestë që nga fillimi i invazionit rus para 14 muajsh. “Prezenca ime në Kiev, sot më 9 Maj është një simbol i rëndësishëm”, tha von der Leyen.

Para mbërritjes së saj, në Kiev kishte pasur dy orë më parë alarm ajror. Në twitter von der Leyen shkroi. “Bukur të jesh sërish në Kiev. Aty ku vlerat që për ne janë të rëndësishme mbrohen çdo ditë.”

Dita e Europës nuk përkujton vetëm fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe fitoren ndaj Gjermanisë naziste, por ajo shenjon edhe përvjetorin e Deklaratës së Schumanit. Më 9 Maj 1950 ministri i atëhershëm i Jashtëm i Francës, Robert Schuman pati propozuar një deklaratë për të bërë të pamundur më luftën mes vendeve europiane.

Në Deklaratën e Schumanit kërkohej krijimi i një Bashkësie Europiane të Qymyrit dhe Çelikut, ku anëtarët do të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut. Kjo deklaratë konsiderohet edhe si ora e lindjes së BE. Anëtarët themelues të bashkësisë ishin Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu./DW

Artikuj te ngjashem

Me te fundit