Ndonëse rritja e çmimeve në muajin prill u ngadalësua sërish, disa prej ushqimeve bazë kanë vijuar shtrenjtimin me ritme të shpejta.
Të dhënat e detajuara të INSTAT bënë të ditur se “qumështi, djathi, veza”, “peshku”, “mishi” dhe “patatja” kanë vijuar rritjen me ritme dyshifrore.
Bulmeti është bërë pothuajse i papërballuashëm për pjesën më të madhe të familjeve shqiptare dhe rritja e tij nuk po ndalet.
Në prill, grupi “Qumësht, djathë dhe vezë” u shtrenjtua me 15.5%, pas një zgjerimi prej 17.1% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Operatorët kanë pohuar se kostot e tyre janë rritur për shkak të lëndës së parë, mungesës së fuqisë punëtore që ka ulur nivelin e grumbullimit të qumështit të papërpunuar si dhe politikave fiskale që ulën nivelin e TVSH-së së rimbursuar.
Produktet e qumështit madje janë më të shtrenjta edhe se rajoni, duke bërë që të shtohet konkurrenca nga importi.
Mishi është produkti tjetër bazë që sa vjen e po kushton më shumë në buxhetin familjeve. Në prill, sipas INSTAT, indeksi vjetor i këtij grupi u rrit me 12.3%, nga 7.8% që ishte ndryshimi vjetor në të njëjtin muaj të një viti më parë.
Ashtu si në rastin e qumështit, shtrenjtimi është i lidhur me problemet që po kalon blegtoria në vend, duke nxitur importet.
Të dhënat e tjera të INSTAT treguan se për muajt e parë të vitit, nga gupet e ushqimeve rritje kanë pësuar vetëm importet që lidhen me produktet nga kafshët, të tilla si bulmeti dhe mishi.
Rritja e importeve në këto produkte po vjen si rrjedhojë e krizës që po kalon blegtoria e vendase ku numri i kafshëve po tkurret me shpejtësi në fermat e vogla si rrjedhojë e pakësimit dhe plakjes së popullsisë në zonat rurale.
Mungesa e prodhimit vendas ka bërë që çmimet e bulmetit të rriten me ritmet shumë të larta vitin e fundit.
Nëse doni të blini peshk, duhet të mendoheni mirë! Çmimet e tij janë rritur me 13.5% në prill, nga 3.6% që ishte ndryshimi vjetor në prill 2022. Më shumë kushton dhe patatja (+10.7) dhe frutat (+7.7%).
Në prill, inflacioni zbriti në 4.6%, niveli më i ulët në më shumë se një vit.
Treguesi u ndikua kryesisht nga rënia e çmimeve në naftës, me grupin “Shërbime ndaj mjeteve personale të transportit”, që ra me 13.8%, pasi ishte rritur me 30.2% në prill 2022, kur sapo kishte filluar kriza si rrjedhojë e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.
Në të njëjtën linjë edhe vaji, që me fillimin e luftës u shtrenjtua ndjeshëm, në prill të këtij viti u rrit me më pak se 1%. Më i moderuar ishte dhe shtrenjtimi i bukës e drithërave dhe sheqerit./Monitor/