Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka paralajmëruar forcimin e lidhjeve ndërmjet Rusisë dhe Republikës Sërpska, ndërkaq presidenti i këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, do të shkojë në Moskë, gjatë këtij muaji, për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin.
Dodik është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Në një intervistë për një stacionin televiziv të afërt me Dodikun, Peskov vëri në dukje pritjet e Moskës se Serbia dhe Republika Sërpska nuk do t’i “dorëzohen presionit perëndimor” për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
Zëdhënësi i Putinit tha se Beogradi është aktualisht nën presion më të madh nga Perëndimi për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, sesa janë autoritetet e Republikës Sërpska, të cilat në Bosnjë e Hercegovinë po e bllokojnë vendosjen e sanksioneve.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Serbia nuk ka vendosur asnjë masë kufizuese ndaj Rusisë në përputhje me vendimet e Bashkimit Evropian (BE), gjë që pritet nga vendet kandidate. Brukseli e paralajmëroi Serbinë sërish, më 9 maj, se përparimi në negociatat për anëtarësim do të varet nga harmonizimi me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
“Serbia është nën presion edhe më të madh se Republika Sërpska. Shpresojmë se do të kenë forcë të mjaftueshme për të mos hyjnë në radhën e kësaj rrjedhe kryesore të Perëndimit kolektiv”, tha Peskov në një intervistë për Televizionin Alternativ të Banja Llukës, i cili poashtu është nën sanksionet e SHBA-së./REL