Sqarimi i policisë së Dibrës: Në lidhje me lajmin e publikuar në media e rrjete sociale ku pretendohet se Policia e Dibrës ka arrestuar tre shtetas, punonjës të bashkisë për shpërndarje të vlerave monetare për përfitime elektorale, sqarojmë opinionin publik se lajmi është i pavërtetë:
Më datën 12.05.2023, rreth orës 16:50, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, ka ardhur një telefonatë nga shtetasi I.U, kandidat për kryetar Bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi pretendonte se në ‘Lagjen e Re’, të qytetit të Peshkopisë, kishte konstatuar tre shtetas që dyshonte se këta po shpërndanin vlera monetare për blerje votash.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë si dhe është njoftuar Prokurori i gatshëm në lidhje me pretendimet e shtetasit I.U.
Po në lidhje me pretendimet e shtetasit I.U, u ngrit menjëherë grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit, kreu një sërë veprimesh procedurale, si kqyrja e kamerave të një subjekti ku pretendonte kandidati dhe verifikimi nga Prokurori, i banesës së shtetasit E. LL, ku gjatë kontrollit të kryer nuk u konstatua asnjë send i kundraligjshëm apo qe lidhet me pretendimet e shtetasit I.U.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në DVP Dibër shtetasin E.LL, 33 vjeç, dhe dy shtetaset që ishin me të konkretisht S.Z., 37 vjeçe; E.D., 22 vjeçe, dhe pas marrjes në pyetje nga Prokurori, në përfundim të shpjegimeve të dhëna janë lënë të lirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër kërkon mirëkuptimin e mediave që para se të publikojnë lajme që kanë lidhje me procesin zgjedhor dhe për çdo rrethanë tjetër, të kërkojë informacion zyrtar, me qëllim informimin sa më të drejtë të qytetarëve.