E martë, 3 Dhjetor, 2024

Problemet në fushatë, drejtori i Policisë: Janë evidentuar 54 raste të krimeve zgjedhore, kemi shtuar grupet e kontrollit

Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka bërë një bilanc të problemeve në procesin zgjedhor deri tani dhe njofton se gjatë periudhës 14 Prill e deri më sot janë evidentuar gjithsej 54 krime zgjedhore duke përfshirë dhënien e shpërblimeve përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike apo zgjedhore, korrupsioni pasiv në zgjedhje deri te shkelja e të drejtës së zgjedhjes.

Njëkohësisht, apeloi për të gjitha subjektet politike, që të zbatojnë me korrektësi detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit.

DEKLARATA E MUHAMET RRUMBULLAKUT:

Nga të dhënat statistikore rezulton se: Nga data 14.04.2023 deri më 12.05.2023, janë evidentuar gjithsej 54 raste të veprave penale në fushën e krimeve zgjedhore, për të cilat janë proceduar penalisht gjithsej 88 shtetas.

Të ndara sipas veprave penale: 1-Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve, 25 raste me 45 autorë; 2-Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike apo zgjedhore, 1 rast me 1 autor; 3-Korrupsioni pasiv në zgjedhje, 20 raste me 25 autorë; 4-Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, 2 raste me 3 autorë; 5-Pengimi i zgjedhësit, 3 raste me 7 autorë; 6-Shkelja e të drejtës së zgjedhjes, 3 raste me 7 autorë.

Për veprat penale të sipërcituara, grupet e posaçme hetimore kanë vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe me autorizimet e organeve proceduese, si dhe vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre rasteve.

Tashmë kemi mbërritur në fazën finale të këtij procesi, dhe detyrat dhe angazhimi i Policisë së Shtetit janë më të shtuara, me qëllim që të garantohet rendi dhe siguria publike, si dhe që çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë të ushtrojë qetësisht dhe i sigurtë, të drejtën kushtetuese për të votuar.

Në përfundim, apeloj që qytetarët të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar, apo që synon të tjetërsojë votën e tyre. Njëkohësisht, apeloj për të gjitha subjektet politike, që të zbatojnë me korrektësi detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, për çdo rast të cenimit të ligjit.

Policia e Shtetit është shumë e vendosur dhe e angazhuar për të siguruar deri në fund mbarëvajtjen e procesit zgjedhur, si dhe për mbajtjen në kontroll të plotë të të gjithë territorit të vendit, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit