E martë, 3 Dhjetor, 2024

“Kosova dhe Serbia të përqendrohen në detyrimet nga marrëveshja për normalizmin e marrëdhënieve”

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, tha të premten se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë, ndërsa theksoi rëndësinë që palët të përqendrohen tash për tash në detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizmin e marrëdhënieve, siç është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo i bëri këto komente në ditën e dytë të vizitës së saj në Kosovë, gjatë së cilës bashkë me kryeministrin, Albin Kurti dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bëri hapjen e ankandit të parë të Kosovës për një park të energjisë diellore me kapacitet prej 100 megavatësh.

“Përqendrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është në zbatimin e kornizës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Gjithmonë ka qenë qëndrim i Shteteve të Bashkuara se kjo duhet të rezultoj me njohje të ndërsjellë dhe natyrisht ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë. Por tani për tani kemi një përqendrim të posaçëm në rëndësinë e asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe rëndësinë e kthimit të serbëve të Kosovës në institucione sa më parë që të jetë e mundur”, tha ajo.

Zonja Power tha se zgjedhjet politike të së ardhmes janë shumë të vështira ndërsa nënvizoi se përparimi në çështjet si themelimi i Asociacionit do të hapte rrugë për përparim në shumë çështje të tjera.

“Mendoj se e shihni unitetin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Ne gjithashtu e kemi bërë shumë të qartë nëpërmjet këshilltarit të departamentit amerikan, Derek Chollet dhe të dërguarit amerikan Gabriel Escobar, se cilat janë parimet mbi të cilat besojmë se duhet të themelohet çdo asociacion. Kemi besim që me sinqeritet dhe qartësi në këtë çështje do të hapet rruga për përparim domethënës në shumë çështje të tjera të rëndësishme në ditët në vijim”, tha zonja Power.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhet të zbatohet në tërësi, pa vonesa dhe pa kushte.

“11 nene në marrëveshjen bazë, 12 pika në aneksin e zbatimit dhe kjo duhet të ketë zbatim të plotë pa vonesa dhe pa kushte. Kjo është ajo që do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel”, tha kryeministri Kurti.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, pritet të takohen të hënën e javës që po vjen në Bruksel për të diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Zonja Power theksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Kosovën në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe fuqizimin e demokracisë si dhe për të marrë, siç tha, “vendin që i takon në institucionet euroatlantike”.

Zonja Power po qëndron në Kosovë pas një vizite në Serbi, ku premtoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Serbinë dhe Kosovën, ndërsa dy vendet armike të kohës së luftës punojnë për të stabilizuar marrëdhëniet në një kohë tensionesh të rritura.

Bashkimi Evropian ka shpenzuar 12 vjet duke lehtësuar negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh shtetësinë e saj.

Të dyja vendeve u është thënë se duhet të normalizojnë marrëdhëniet në mënyrë që të përparojnë në synimet e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Palët janë pajtuar të mbështesin një plan të BE-së për këtë çështje, por tensionet mbeten të larta.

Parku i energjisë diellore pritet të furnizojë rreth 20 mijë familje

Kryeministri Kurti, duke e vlerësuar thelbësor rolin e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, tha se ndihma e kësaj agjencie për sektorin e energjisë në Kosovë është e rëndësisë së posaçme.

Ai theksoi se kriza energjetike botërore e cila pasoi agresionin rus në Ukrainë në vitin 2022, ka dëshmuar tashmë se siguria energjetike është siguri kombëtare.

“Rruga drejt së cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokrate, të cilave u levërdis varësia energjetike e Evropës. Kërcënimet në rritje të ndryshimeve klimatike e bëjnë edhe më urgjent tranzicionin energjetik. Këtë rrugëtim ne po e bëjmë me mikun, partnerin e besueshëm, aleatin e fuqishëm – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët tashmë janë dëshmuar edhe sa i përket zhvillimit tonë të gjithëmbarshëm”, tha ai.

Ministrja Rizvanolli tha se janë krijuar kushte të përshtatshme për investitorët si vendës ashtu edhe të huaj, për ndërtimin e këtij parku që sipas përllogaritjeve do të ketë mundësi të furnizojë me energji elektrike rreth 20 mijë familje.

“Jemi siguruar të ofrojmë një sërë përparësish kritike përfshirë identifikimin dhe sigurimin e tokës së përshtatshme, çmimin e garantuar të blerjes dhe procedura të thjeshta administrative. Përtej kritereve teknike e mundësive të investimit, kemi plotësuar të gjitha kushtet që kompanitë të cilat duan të investojnë në Kosovë të kenë një partner serioz, të drejtë e transparent”, tha zonja Rizvanolli duke nënvizuar se “ky rezultat vjen falë bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet qeverisë së Kosovës me një ndër partnerët tanë thelbësor zhvillimor – USAID, kontributi i të cilit është i pazëvendësueshëm për sektorin tonë të energjisë dhe më tej”.

Zonja Power tha se hapja e ankandit është një simbol i fuqishëm i drejtimit që po merr ekonomia e Kosovës.

“Fatmirësisht kemi parë një përkushtim shumë të fuqishëm e të rëndësishëm të udhëheqsve të Kosovës për të nisur një transformim të sektorit të energjisë. Shpresoj që Kosova do të shërbej si model edhe për vendet e tjera që të punojnë në drejtime të ngjashme. Kosova ka filluar këtë rrugëtim duke vendosur synime të qarta, ambicioze por të arritshme në strategjinë e saj për energjinë në zhvillimin e së cilës USAID kishe kënaqësinë të ndihmojë”, tha ajo.

Kosova aktualisht përmbush shumicën e nevojave të saj me energji elektrike nga dy termocentrale të vjetra që punojnë me qymyr linjit dhe vlerësohen të dëmshme për mjedisin, ndërsa njohës të fushës në vazhdimësi tërheqin vërejtjen se hapat afatgjatë duhet ta çojnë Kosovën drejt kalimit në energji të ripërtërishme./Zëri i Amerikës

Artikuj te ngjashem

Me te fundit