E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Humbja në zgjedhjet e 14 Majit, Alibeaj jep dorëheqjen nga drejtimi i partisë dhe grupit parlamentar

Enkelejd Alibeaj, ka bërë reagimin e parë pas humbjes në zgjedhje ka dhënë dorëheqjen si kryetar i komanduar i Partisë Demokratike. Në një deklaratë për mediat, Alibeaj tha se zgjedhjet e 14 Majit patën probleme serioze, megjithatë ai theksoi se fillimisht demokratët duhet të analizojnë problemet e brendshme dhe u largua nga poziocionet që mbante brenda kësaj force politike.

“Zgjedhjet e 14 Majit sollën monizëm pushteti – Rama i mbajti thuajse të gjitha bashkitë që katër vjet më parë i kishte marrë pa kundërshtarë. Para një viti, kur e prita në zyrë Sali Berishën, i thashë se më të në krye, demokratët nuk kanë asnjë shans të vijnë në pushtet. Prandaj nuk mund ta ndiqja.

Prandaj nuk e ndoqa dhe zgjodha rrugën e qëndresës. Me këtë rast dua t’u shpreh konsideratën dhe mirënjohjen time të gjithë atyre demokratëve që e vendosën fatin e partisë, të familjes sonë politike, para llogarive dhe pazareve të ngushta e mediokre. Në kohë të vështira duhen njerëz me karakter të fortë. Këtë ju e keni dëshmuar.

Zgjedhjet e 14 Majit, padyshim, patën probleme serioze: presione mbi administratën, përdorim të fortësh, përdorim oligarkësh, sistem elektronik difektoz etj. Por, para së gjithash, ne duhet të shohim nga vetja. Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së Partisë Demokratike në rezultatin e zgjedhjeve.

Ne duhet të vlerësojmë si duhet punën e bërë në terren nga strukturat e partisë, impenjimin e gjithësecilit, kontributin e gjithësecilit, për të kuptuar çfarë shkoi keq dhe çfarë shkoi si duhet. Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar”, tha Alibeaj./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit