Makina e ish-deputetit Armando Prenga është qëlluar me armë zjarri në Fushë Kuqe të Kurbinit. Ish-deputeti Prenga 49 vjeç njoftoi policinë se një 29-vjeçar me iniciale F.I. qëlloi me armë zjarri në drejtim të makinës së tij.
Sipas denoncimit, ngjarja ndodhi teksa 29-vjeçari po qarkullonte me automjet dhe qëlloi me pistoletë.
NJOFTIMI I POLICISË
Shtetasi A. P., 49 vjeç, ka njoftuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Kurbin se në Fushë Kuqe, ndërkohë që qarkullonte me automjet, shtetasi F. I., 29 vjeç, kishte qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit të tij. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë kontrollet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit F. I., i cili është shpallur në kërkim, bashkë me automjetin tip “Benz” me të cilin është larguar.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti./btvnews.al