E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Të burgosurit shqiptarë paguhen nga Britania për t’u kthyer

BBC tregon se ata janë paguar me 1500 paund, skema u oftohet të burgosurve me kusht që të bashkëpunojnë për dëbimin nga Britania e Madhe.

Rrjeti britanik i lajmeve BBC ka rikthyer vëmendjen tek emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve në Britani si dhe të shqiptarëve që vuajnë dënime në institucionet e burgimit atje.

Në një reportazh të gjatë, gazetarja Lucy Williamson shprehet se të burgosurit shqiptarë paguhen nga qeveria britanike për t’u kthyer në Shqipëri. Një skemë e tillë është përdorur edhe me herët nga qeveria britanike me azilkërkuesit.

Sipas kësaj të fundit, disa të burgosurve shqiptarë iu ofruan 1500 £ për t’u larguar dhe disa të tjerë planifikojnë të kthehen duke e parë këtë si një mundësi për t’i shpëtuar burgut, pasi në Shqipëri ata nuk janë të detyruar të rikthehen në burgje. Bëhet me dije se fluturimet e deportimit në Shqipëri janë rritur që kur vendi nënshkroi një marrëveshje të përbashkët bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar dhjetorin e kaluar, për të frenuar dhe penguar migrimin e paligjshëm.

Zyra e Brendshme e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar thotë se që nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes, më shumë se 1000 njerëz janë kthyer në vendin e lindjes. BBC siguroi intervista me dhjetëra shqiptarë që u dëbuan muajin e kaluar dhe zbuloi se shumica vinin nga burgjet e Mbretërisë së Bashkuar. Disa prej tyre kishin marrë para në këmbim të pranimit të dëbimit dhe u liruan nga burgu përpara se të vuanin dënimin e tyre minimal.

Një dokument i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar thotë qartë se skema është një stimul financiar që u ofrohet të burgosurve të huaj me kusht që ata të bashkëpunojnë për dëbimin dhe të heqin dorë nga e drejta e tyre për të apeluar kundër tij.

Policia shqiptare ka shtuar së fundmi kontrollet në pikat kufitare të vendit, për të kapur të dëbuarit në listën e zezë që tentojnë të kalojnë. Rritja e bashkëpunimit midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë ka përkuar me një rënie të mprehtë të numrit të shqiptarëve që mbërrijnë me varka, vetëm 29 u zbuluan në muajt e parë të këtij viti. Të dyja qeveritë po përballen me provën e parë reale të qasjes së tyre për të trajtuar migracionin e parregullt. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit