E enjte, 12 Dhjetor, 2024

SHBA mbështet planin për të trajnuar pilotët ukrainas për avionë luftarakë F-16

Presidenti i SHBA-së Joe Biden informoi të premten udhëheqësit e 6 vendeve të tjera më të industrializuara se Uashingtoni mbështet përpjekjen e përbashkët me aleatët për të trajnuar pilotët ukrainas për avionët luftarakë F-16.

Lajmi u konfirmua nga një zyrtar i lartë i administrates amerikane në kushte anonimiteti.

Miratimi nga ana e Shteteve të Bashkuara ka rëndësi kyçe, ndërsa Kievi përpiqet të rrisë fuqinë e tij ajrore kundër forcave të Rusisë.

Trajnimi për avionët e prodhuar në SHBA do të zhvillohet në Evropë dhe do të duhen muaj për t’u përfunduar, tha zyrtari.

Kohazgjatja për trajnimin dhe dorëzimin e avionëve F-16 është vlerësuar të jetë të paktën 18 muaj.

“Ndërsa trajnimi zhvillohet gjatë muajve të ardhshëm, koalicioni i vendeve që marrin pjesë në këtë përpjekje do të vendosë se kur do të sigurojë avionët, sa do t’i ofrojmë dhe kush do t’i sigurojë ato”, tha zyrtari.

Zyrtari nuk tha se cilat vende do të merrnin pjesë në këtë përpjekje. Shtetet e Bashkuara shpresojnë të fillojnë trajnimin në javët e ardhshme, shtoi zyrtari.

Ukraina po kërkon avionët e prodhuar nga kompania amerikane “Lockheed Martin”, teksa po vazhdon përparimin e saj kundër trupave pushtuese ruse ende para një kundërofensive të pritshme gjatë pranverës.

Ukraina, e cila nuk ka avionë të projektuar nga perëndimi, thotë se avionët F-16 janë shumë më efektivë se sa avionët e epokës sovjetike MiG-29 që ka aktualisht. Polonia dhe Sllovakia kanë dorëzuar 27 MiG-29 për të plotësuar flotën aktuale të Ukrainës.

Qeveritë perëndimore kanë qenë të kujdesshme me sasinë e paisjeve të dhuruara, në mënyrë që të ruajnë aftësitë e tyre mbrojtëse. Ato gjithashtu kanë shmangur dërgimin e çdo paisjeje me rreze të gjatë veprimi që mund të godasë thellë në territorin rus dhe t’i japë Moskës një arsye për të përshkallëzuar luftën.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky mori zotime këtë javë nga Britania dhe Holanda për të ndihmuar në krijimin e një “koalicioni për avionët”, megjithëse udhëheqësit nga të dy vendet nuk thanë se do të dërgojnë avionë./Zëri i Amerikës

Artikuj te ngjashem

Me te fundit