Partia Demokracia e Re e Kyriakos Mitsotakis në Greqi ka korrur një fitore historike duke u renditur forcë e parë qeverisës në pothuajse gjithë vendin.
Demokracia e Re mori 40.79% të votave, e megjithatë nuk mund të formojë e vetme qeverinë.
Partia opozitare Syriza e Alexis Tsipras ka pësuar rënie në këto zgjedhje dhe ka marrë 20.07% të votave. Partia e tretë është renditur PASOK me 11.46% të votave.
Pothuajse e gjithë harta e Greqisë është ngjyrosur me blunë e Demokracisë së Re.
Disa qytete të konsideruara si bastione të Syrizas kanë rënë. Alexis Tsipras humbi edhe në vendlindjen e tij, Arta, duke u renditur në vendin e dytë.
Kreta, bastion historik i PASOK dhe më pas i Syriza, është ngjyrosur me blu. Demokracia e Re e Kryeministrit Mitsotakis ka marrë shumicën e votave. Kjo ndodh për herë të parë që nga viti 1974 në Kretë.
Këto zgjedhje shënuan humbje për Syrizan e Tsipras në raport me zgjedhjet e vitit 2019, duke humbur shumë prej rajoneve ku ka qenë forcë e parë.
Por pavarësisht fitores së Demokracia e Re, Mitsotakis nuk ka arritur të sigurojë shumicën për të qeverisur e vetme dhe do të duhet të formohen koalicione. Nëse as kjo nuk arrihet, në Qershor do të mbahet raundi i dytë i votimeve. /btvnews.al