Kryeministri Edi Rama këtë të hënë u ndal në qarkun e Dibrës, ku vijoi serinë e takimeve për të falenderuar qytetarët që e votuan në 14 Maj.
Në një takim me qytetarët në Dibër, Rama tha se ky qytet i ka bërë një sfidë shumë të madhe socialistëve, duke i ngarkuar me një besim të jashtëzakonshëm. Ai premtoi investime në të gjithë qarkun dhe tha se vizioni është për ta bërë Dibrën ‘jastëkun e gjelbër të kryeqytetit’.
Kemi edhe rrugën që lidh Peshkopinë me Maqellarën, sepse nuk mund të durojmë dot pas jo shumë kohe, kur të fillojnë të na tallin këtu, ‘ja mër ça rrugë e Arbrit ajo shkon deri në Maqellarë’, se e di unë sesi ndodh këtu. Kështu që duhet ta bëjmë dhe atë. Por këto janë vetëm disa vepra infrastrukturore, shumë të rëndësishme pa diskutim. Pjesa tjetër është gjithë pjesa e zhvillimit ekonomik, social, duke shtyrë gjithnjë e më shumë, atë që është thelbi i këtij vizioni, që është integrimi i plotë i Tiranës me Dibrën.
Për ta bërë Dibrën atë që është në fakt, po ta shikosh dhe hartë, dhe nga mënyra sesi janë ndarë edhe pasuritë natyrore mes gjithë zonës së Tiranës dhe zonës së Dibrës, për ta bërë jastëkun e gjelbër të kryeqytetit. Duke krijuar mundësitë që gjithmonë e më shumë investimet të bëhen këtu.
As mos u çudisni fare kur të shikoni se gjithnjë e shumë njerëz do të duan të kenë shtëpinë e dytë këtu në Dibër, duke jetuar në Tiranë. Gjithmonë e më shumë njerëz do duan që të bëjnë pushime këtu Dibër, gjithmonë e më shumë vizitorë e turistë do të vijnë këtu në Dibër, sepse bukuritë dhe mundësitë që ofron natyra këtu janë të jashtëzakonshme dhe komplet të pashfrytëzuara”, tha Rama./btvnews.al