Më 1 qershor është provimi i parë i Maturës Shtetërorë. Kështu, rreth 30 mijë maturantë do t’i nënshtrohen testit të detyruar, atij të gjuhës së huaj. Ndryshe nga vitet e shkuara këtë vit, testimet do të kryhen në salla të mëdha, në korridoret e shkollave apo në palestra. Këto mjedise veç administratorëve që janë të shumtë në numër në disa raste do të jenë edhe të monitoruara me kamera.
Po ashtu këtë vit do të rikthehet edhe metoda e ngujimit për ekspertët që do të përzgjedhin pyetjet që do të përmbajnë testet e maturës shtetërore, ndërkohë që për herë të parë për nxënësit me aftësi ndryshe do të ketë një test të posaçëm. Për herë të parë këtë vit maturantët do të kenë mundësi të kërkojnë rikorigjim të testit nëse ata kanë pretendime për notën.
Për maturantët që do të duan të vazhdojnë mjekësinë, këtë vit veç 4 provimeve, 3 të detyruar dhe një me zgjedhje do të realizojnë dhe një tjetër testim të automatizuar, me pyetje mbi biologjinë, kiminë dhe fizikën. Përgjigjet e këtij testimi do të jepen në mënyrë të menjëhershme dhe ato do të zënë 30% të rezultatit total, të kandidatit për degën e mjekësisë. /btvnews.al