E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Çështja “Beleri”, Xhaçka pas takimit me Dendias: Duhet të flas gjyqësori, nuk ka vend për ndikime politike

Pas takimit të zhvilluar në Bruksel me homologun e saj grek, Niko Dendias, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka dhënë një deklaratë për mediat.

Ministrja deklaron se me Dendias ka folur për çështjen “Beleri” dhe shton se nuk është as çështje politike dhe as çështje e të drejtave të njeriut, por e respektimit të ligjit për çdo qytetar shqiptar.

“Me kolegun Dendias pata një takim të mirë, i cili ishte një mundësi për të diskutuar nga afër çështjen. E urova për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e djeshme dhe i shpreha dëshirën tonë të sinqertë që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për çështjen Beleri, të mund të vazhdojmë bashkëpunimin tonë miqësor për të cilin kemi hapur tashmë një faqe të re.

Kolegu Dendias paraqiti qëndrimin e tij dhe unë bëra shumë të qartë qëndrimin tonë se kjo nuk është as çështje politike dhe as çështje e të drejtave të njeriut. Është çështje e respektimit të ligjit për çdo qytetar shqiptar. Është çështje e luftës kundër fenomenit të blerjes së votës, si një prej rekomandimeve kryesore të OSBE-ODIHR. Ashtu si Shqipëria, edhe Greqia në respekt të ligjit kreu arrestime pikërisht për akuza për blerje vote.

Pra, kemi të bëjmë me një çështje që i përket gjyqësorit dhe ku nuk ka vend për ndikime politike nga brenda e jashtë Shqipërisë. Për pavarësinë e gjyqësorit ne jemi investuar në mënyrë serioze sikundër është investuar edhe Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare“, deklaroi Xhaçka./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit