Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është thirrur mëngjesin e sotëm në SPAK, ku është pyetur për disa orë për kallëzimet që ai ka bërë gjatë fushatës elektorale.
Pas marrjes në pyetje nga prokurorët, Noka foli për mediat dhe tregoi se kishte dhënë deklarime për Majlinda Bufin, kryetaren e Bashkisë Roskovec dhe për “Aktivistin”.
“Ne kemi monitoruar dhe paraqitur në SPAK një mori padish për këtë batërdi. Sot isha për të diskutuar në lidhje me Majlinda Bufin si kërcënuese dhe shantazuese e qytetarëve për të marrë me dhunë votën dhe po ashtu për “Aktivistin” që shantazhonte administratën dhe këto janë krimet zgjedhore dhe ne do t’i shkojmë deri në fund.
Të gjitha provat janë dorëzuar. Fakti që jam unë këtu do të thotë se ka hetim penal për “Aktivistin” dhe Bufin, vota me dhunë dhe presion duhet të marrë fund. Shqipëria ka nevojë që të zhvillohen zgjedhje të lira me standarde, ku qytetari të jetë objektiv në qëndrimin e tij dhe jo i dhunuar apo i blerë“, tha Noka./btvnews.al