E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Rritja e pagave për administratën ‘përplas’ opozitën me ministren e financave, deputeti i PD: Të duket normale që rroga e një drejtori…

Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë është diskutuar për projektligjin e rritjes së rrogave për të gjithë administratën shtetërore, me përjashtim të pagave të ministrave e deputetëve.

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj ka replikuar me ministren e Financave Delina Ibrahimaj për këtë projektligj duke e pyetur përse janë përjashtuar nga ky ligj deputetët dhe ministrat, në një kohë kur një këshilltar e drejtor në Ministri do të paguhet më shumë se vetë titullari i instritucionit.

Agron Shehaj: Ju po thoni që rrogat e ministrave dhe të deputetëve janë më pak të rëndësishme në raport me rrogat e gjithë punonjësve të tjerë të administratës. Ju duket normale që një drejtoreshë në Ministri, një këshilltar i një ministre, të kenë një rrogë më të lartë se rroga juaj apo rroga e deputetëve?

Delinda Ibrahimaj: Qëllimi nuk është vletrësimi që ne kemi mbi përgjegjësinë dhe punën e ministrave apo deputetëve, qëllimi ka qenë që reforma të përfundonte dhe më pas të përcaktohej paga e ministrave dhe deputetëve. Siç e kemi shpjeguar, reforma do të implementohet me dy hapa. Hapi i parë ka filluar ndërskohë që hapi i dytë është gjatë vitit të ardhshëm. Me përfundimin e gjithë reformës atëherë ne do të sjellim një propozim ku do të përcaktohen dhe rritja e pagave për deputetët dhe ministrat që padyshim kanë të gjitha detyrat e tyre kushtetuese. Është çështje prioriteti dhe prioriteti i jepet reformës tërësore të pagave.

Deputeti Agron Shehaj: Ju po thoni që do prisni njëherë të mbarojë reforma të rriten rrogat për të gjithë dhe pastaj do merremi me deputetët dhe ministrat. Ju po thoni që rritja e rrogave duke mos ndryshuar koeficientin le të themi prej 1 mijë Euro në muaj për 140 deputetë edhe për ministrat rrezikon të vendosë në dyshim apo të bëjë të parealizueshme rritjen e rrogave të gjithë të tjerëve?/btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit