E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Betimi i kryetarëve të komunave në veri të Kosovës dhe ultimatumi i Beogradit! Lista Srpska: Përgjigjja e popullit serb do të jetë më 1 qershor

Të enjten betohen edhe tre kryetarë shqiptarë në komunat veriore të Kosovës. Serbët që bojkotuan zgjedhjet lokale nuk i pranojnë ata. Lista Srpska thotë, se “përgjigjja e popullit serb do të jetë më 1 qershor”.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, komunat në veri të banuara me shumicë serbe do të funksionalizohen, megjithë  vështirësitë dhe rezultatet jo të kënaqshme të pjesëmarrjes në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është duke bashkëpunuar me kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës, për të organizuar seancat e asambleve komunale, si dhe betimin solemn edhe të tre kryetarëve shqiptar, Zubin Potok Izmir Zeqiri, Leposaviq Lulzim Hetemi dhe Zveçan Ilir Peci. Betimi i kryetarëve të këtyre tri komunave do të bëhet këtë të enjte. Deri më tash, betimin solemn para Kuvendit Komunal e ka bërë vetëm kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Komuna e Mitrovicës së Veriut ka objektin e saj, ndërsa në tri komunat e tjera deri më tani në të njëjtat objekte komunale kanë punuar institucionet komunale të sistemit të Kosovës, por edhe organet paralele të përkohshme, të cilat punojnë sipas sistemit të Serbisë.

Bllokimi i Listës Srpska

Serbët e veriut të Kosovës u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e automjeteve që kishin targa ilegale të lëshuara nga Serbia. Po ashtu serbët e veriut bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, dhe as kryetarët e rinj që u zgjodhën nga komuniteti shqiptar. Madje përfaqësues të Listës Srpska që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës i dhanë ultimatum Qeverisë së Kosovës – deri më “1 qershor, duhet ndaluar represioni, shpronësimi, arrestimi, persekutimi dhe sulmet ndaj serbëve”. Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një konferencë për media ka thënë se me “fillimin e betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje filloi zyrtarisht pushtimi i veriut e do të përfundojë kur të vendosin serbët”.

“Përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor, ata do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”, është shprehur Igor Simiq duke mos saktësuar se cilat janë këto mjete. Sipas tij, Lista Srpska, “ka arritur të ruajnë qetësinë dhe të frenojë njerëzit që të mos reagojnë ndaj emërimit të një kryetari të rremë”. Ky reagim u bë menjëherë pas betimit më 19 maj të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, i cili menjëherë emëroi një serbe nënkryetare, Katarina Axhançiq, nga radhët e komunitetit serb.

Kryetari Atiq, tha se ai do të punojë me të gjithë qytetarët në veri, pa dallim etnie.”Ne me gjithë ekipin, do të punojmë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh do ta bëjmë për ta normalizuar këtë pjesë të komunës. I bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të na takojnë, të na vizitojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, ka deklaruar Atiq.

“Zgjedhjet e 23 prillit nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë”

Pas bojkotit masiv të zgjedhjeve lokale të prillit, pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte vetëm 3.47 për qind. Ndërkohë ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara QUINT, shprehin shqetësimin e tyre për situatën e krijuar në veri të Kosovës. Ata ata thanë se “zgjedhjet e 23 prillit nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb”.

QUINT, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania, Franca, dhe Italia u bënë thirrje të gjithë aktorëve në rajon që urgjentisht të punojnë së bashku drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese në këto komuna. “Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa, përfshirë nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale  që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të Quint-it.

Javën që shkoi Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, zhvilloi biseda të ndara telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Zyrtari i lartë amerikan porositi Kurtin dhe Vuçiq, që të vazhdohet puna e rëndësishme për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve dhe duke kërkuar nga palët që t’i shmangin provokimet. /DW

Artikuj te ngjashem

Me te fundit