Në kuadër të vizitës zyrtare dy ditore në Itali, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u prit në Pallatin Montecitorio nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontana. Në qendër të bisedimeve ishin bashkëpunimi mes dy vendeve, përfshirë bashkëpunimin parlamentar, por edhe bashkëpunimin në funksion të paqes dhe sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Pasi vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht miqësore e të partneritetit strategjik, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për ndihmën e dhënë nga Parlamenti italian për të gjitha fazat e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe shprehu besimin se kjo ndihmë do të vijojë edhe gjatë procesit të negociatave të aderimit. Një kontribut të veçantë, Presidenti Begaj, konsideroi edhe rolin e rëndësishëm të Italisë në kuadër të Procesit të Berlinit, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Një vëmendje e veçanti iu kushtua bashkëpunimit rajonal, për të cilën Presidenti Begaj, evidentoi rolin stabilizues të Shqipërisë, si dhe vlerësoi rolin e Italisë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek sfidat me të cilat dy vendet po përballen që prej agresionit ushtarak rus në Ukrainë, si dhe për kontributin e Shqipërisë në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në këtë takim, Presidenti Begaj shoqërohej dhe nga dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Grupit parlamentar të miqësisë, Shqipëri-Itali, Arben Pëllumbi dhe Emilja Koliqi./btvnews.al