Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me incidentet e së premtes në veri të Kosovës. Në një postim në mediat sociale, Kurti shprehet se objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit të Kushtetutës.
Kreu i qeverisë së Kosovës shton se është i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë, por thekson se çdo opsion tjetër do ishte mospërmbushje e detyrimeve kushtetuese të qeverisë ndaj kryetarëve të rinj të zgjedhur në veri.
“Pas betimit të tyre të enjten, dje, tre kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës, e kanë pasur ditën e parë të punës. Shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër.
Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, shkruan Kurti.
Kryeministri i Kosovës i bën thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre serbë, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre./btvnews.al