E enjte, 28 Nëntor, 2024

Sëmundjet e qarkullimit të gjakut shkaktuan 54.5% të vdekjeve më 2022, po zgjerohen vit pas viti

Sëmundjet e qarkullimit të gjakut mbeten shkaktari kryesor i vdekjeve në Shqipëri duke e zgjeruar gjithnjë e më shumë kontributin në totalin e vdekjeve. INSTAT raportoi sot se numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2022, është 23.998, duke shënuar një rënie prej 21,3% vdekje më pak, krahasuar me vitin e kaluar.

semundjet e gjakut

Sipas gjinisë, u regjistruan 12.921 vdekje për meshkujt dhe 11.077 vdekje për femrat. Referuar shkakut kryesor të vdekjeve, 97,0% e vdekjeve gjithsej të regjistruara ishin natyrale (shkaqet natyrale).

Vdekjet nga grupsëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” zë peshën më të madhe në totalin e vdekjeve të regjistruara, dhe vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve. Në vitin 2022, më shumë se gjysma e vdekjeve (54,5%) kishin këtë shkak kryesor, teksa një vit më parë zinin 52.4% .

“Sëmundjet kronike të zemrës” (42,2%), “Sëmundjet të enëve të trurit” (22,5%) dhe “Sëmundjet ishemike të zemrës” (22,3%) zënë peshën më të madhe të vdekjeve në grupsëmundjen “Aparati i qarkullimit të gjakut”. Krahasuar me vitin paraardhës, vdekjet nga kjo grupsëmundje kanë shënuar rënie me 18,2%.

Grup-sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, përbën grupin e dytë me peshën më të lartë të vdekjeve (20,3%). Krahasuar me vitin e kaluar, janë shënuar 4,9% më pak humbje jete. Vdekjet në grup-moshën mbi 70 vjeç përbëjnë 82,3% të vdekjeve për këtë grup-sëmundje dhe shkaku kryesor është “Vdekje nga pleqëria”.

Grup-sëmundja “Tumore” përbën grupin e tretë të sëmundjeve me peshën më të madhe të vdekjeve të regjistruara, 13,5% të vdekjeve gjithsej. Krahasuar me vitin 2021, janë regjistruar 5,7% më pak humbje jete nga kjo grup-sëmundje.

“Tumore malinj të aparatit të tretjes” (36,8%) dhe “Tumore malinj të aparatit të frymëmarrjes” (23,4%) përbëjnë peshën më të madhe të vdekjeve në këtë grup-sëmundje. Krahasuar me vitin 2021, vdekjet nga grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të frymëmarrjes” zë peshën kryesore në rënien gjithsej të vdekjeve të regjistruara gjatë vitit 2022.

Nga 23.998 të vdekur gjithsej, 53,8% ishin meshkuj dhe 46,2% ishin femra. Si te femrat dhe te meshkujt, grupsëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” përbën shkakun kryesor të humbjeve të jetës, përkatësisht 53,3 % meshkuj dhe 56,0% femra.

Grupsëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” përbën shkakun e dytë kryesor të vdekjeve për të dyja gjinitë, ku përqindja e vdekjeve te femrat është më e lartë se te meshkujt, 23,9% me 17,2%. Grup-sëmundja e tretë vijon “Tumore”, me përqindjen më të lartë të vdekjeve te meshkujt (15,7%) krahasuar me femrat (10,8%).

Bie vdekshmëria foshnjore

Në vitin 2022, janë regjistruar 161 vdekje foshnjore. Norma e vdekshmërisë foshnjore është 6,5 për 1.000 lindje të gjalla, përkundrejt 8,4 në vitin 2021. Shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore (nën 1 vjeç) janë “Sëmundjet që shfaqen në periudhën rreth lindjes (perinatale)” me 52,8% dhe “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” me 21,1% të vdekjeve të regjistruara. Për grup-moshën 0-19 vjeç, pesha më e madhe e humbjeve të jetës lidhet me grupsëmundjet “Sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes” (29,8%) dhe “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” (28,1%).

“Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” (31,6%) dhe “Dëmtimet traumatike dhe helmime” (30,1%) përbëjnë grupet me peshën më të madhe në vdekjet e shkaktuara për grup-moshën 20-44 vjeç. Për grup-moshat 45-64, 65-79 dhe 80+ vjeç, grupi kryesor mbetet “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.

Analizuar sipas shkakut të vdekjeve, grup-sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” përbën shkakun kryesor të vdekjeve për grup-moshën mbi 80 vjeç (76,5%). Në grupsëmundjen “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”, përafërsisht gjysma e humbjeve të jetës i përket grup-moshës mbi 80 vjeç (48,5%). Ndërkohë, te grupsëmundja “Tumore”, përafërsisht gjysma e humbjeve të jetës i përket grup-moshës 65-79 vjeç (47,6%).

Në vitin 2022, vdekshmëria sipas grup-sëmundjeve kryesore për çdo qark ruan pothuajse të njëjtën strukturë, ku numri më i madh i vdekjeve shkaktohet nga grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” ndjekur nga “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” dhe “Tumore”.

/monitor

Artikuj te ngjashem

Me te fundit