Misioni i EULEX në Kosovë ka dhënë se situata e djeshme në veri të vendit është shqetësuese dhe e papranueshme. Për Klankosova.tv, ky mision ka deklaruar se duhet të ketë ambient të sigurt për të gjithë.
“Përshkallëzimi i fundit i dhunës në veri të Kosovës është shqetësues dhe i papranueshëm. Situata e sigurisë atje mbetet e tensionuar dhe kjo është një shqetësim i madh. Jemi thellësisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, policëve, gazetarëve, anëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it. Prioritet duhet të jetë siguria në terren dhe ruajtja e paqes”, ka deklaruar EULEX.
EULEX ka bërë thirrje që të menaxhohet situata dhe të ulen tensionet.
“Ne dëshirojmë t’u bëjmë thirrje të gjithëve që të veprojnë në mënyrë të matur, të shmangin dhunën dhe të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar këtë situatë të tensionuar. Duhet urgjentisht të rivendoset qetësia në interes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në veri të Kosovës”.
Ky mision po ashtu ka dënuar dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, dhe ka shtuar se asnjë pjesëtarë i EULEX nuk është lënduar dje.
“Dënojmë fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve në Zveçan, të cilat rezultuan me lëndimin e disa pjesëtarëve të KFOR-it. Të gjithë të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë”, deklaroi EULEX për Klankosova.tv.