Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka reaguar sërish për situatën në veri të Kosovës dhe kërkon uljen e tensioneve. Në një deklaratë, Borrel dënoi dhunën ndaj forcave të KFOR duke shtuar se këto situata “krijojnë një situatë shumë të rrezikshme”.
Ai tregoi se ka biseduar më kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe u ka kërkuar të dyja palëve që urgjentisht të marrin masa për uljen e menjëhershme dhe pa kushte të tensioneve.
“Si hap i parë, pres nga autoritetet e Kosovës të pezullojnë operacionin policor në ndërtesat e komunave në veriun e Kosovës dhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen”, tha zoti Borrell.
Më tej ai shtoi se BE pret që situata të zgjidhet me bisedime dhe nuk dueht që të nisë një konflikt tjetër.
“Ka pasur tepër dhunë, kemi mjaft dhunë tashmë në Evropë sot dhe nuk mund të përballojmë një konflikt tjetër. Shpresoj që zëri im të dëgjohet dhe njerëzit të sillen në pajtim më kërkesat”, tha zoti Borrell./btvnews.al