Në një kohë kur shumë zona të Shqipërisë vuajnë për ujë, mediat italiane zbulojnë një plan se si uji do shkojë nga Gjirokastra në Pulia.
Media Corriere Della Sera, qeveria shqiptare duket se i ka dhënë pëlqimin palës italiane për t’i dërgua ujë rajonit të Pulias që është goditur nga thatësirat vitet e fundit.
Ideja që dikur iu propozua ish-kryeministrit Fatos Nano për të çuar ujin me tubacion nga burimi i “Syrit të Kaltër” në Delvinë drejt Jugut të Italisë, tashmë ka marrë formën e një projekti dhe pritet të kushtojë 1 miliardë euro për t’u realizuar.
“Qeveria shqiptare na ka autorizuar të fillojmë planifikimin e ujësjellësit që do të lidhë Shqipërinë me Italinë. Shqipëria hedh një sasi të madhe uji të mirë në det dhe padyshim se ka interes që t’i paguajë për të. Ne kemi interes ta marrim sepse për ne uji do të thotë t’i japim një model të ri bujqësisë, të bëjmë turizmin të rritet dhe t’u japim një të ardhme të gjithë pulianëve”, deklaroi presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emiliano, gjatë një konference për shtyp në Bari për investimet në sistemin e ujësjellësit.
Për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme do të duhen 4 vite punë dhe një miliardë euro. Ujësjellësi pritet që të financohet me burimet e BEI-së, BERZH-it, shtetit Italian dhe rajonit e korporatës së ujësjellësit pulian.
Sipas medias italiane, qëllimi është që çdo vit të transportohen 150 milionë metër kub ujë në Pulia dhe për rajonin do të jetë një infrastrukturë strategjike, duke pasur parasysh thatësirën që e ka karakterizuar vitet e fundit.
Sipas palës italiane, Shqipëria do të kishte një përfitim ekonomik, duke qenë se do të hapeshin rreth 8000 vende të reja pune direkte dhe indirekte./btvnews.al