E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Ana tjetër e errët e tensioneve në veri të Kosovës, shqetësohen investitorët e huaj

Sa herë që ndodhin incidente në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, shqetësime paraqiten edhe te partnerët ndërkombëtarë të kompanisë së teknologjisë së informacionit ‘Anchorzup’, në Prishtinë.

Kjo kompani ofron shërbime për tregun ndërkombëtar, përfshirë zhvillimin e softuerëve, ueb-faqeve, shërbime marketingu dhe shitjeje.

Jeta Zagragja, themeluese dhe kryeshefe ekzekutive në kompani, shprehet se pas çdo trazire apo përshkallëzim të situatës në katër komunat e banuara me shumicë serbe, (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) klientët nga shtetet evropiane dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës paraqesin shqetësime për mundësinë e rrezikimit të investimeve të tyre.

“Interesohen në qoftë se duhet ndërprerë edhe bashkëpunimin. Gjithsesi paraqitet si jostabilitet i përgjithshëm në vend. Kemi pasur ankesa të tilla. Por, ne gjithmonë kemi arritur t’u tregojmë se (në veri të Kosovës) është një situatë më e izoluar, siç mund të ndodhë edhe në shtete tjera të Evropës dhe botës dhe nuk afekton pjesën tjetër”, thotë ajo.

Tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe nisën më 26 maj, pasi kryetarët e rinj, nën asistimin e Policisë së Kosovës, u futën në ndërtesat komunale.

Qytetarët serbë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok edhe më 29 maj, protestuan për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale. Revolta e tyre u shndërrua në përleshje të dhunshme me pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, më 29 maj./REL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit