E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Paraqitje e shkëlqyer edhe në mitingun ndërkombëtar, Luiza Gega afër thyerjes së rekordit

Luiza Gega ka hapur sezonin e garave verore në disiplinën e saj të preferuar, 3000 metra me pengesa, duke shënuar një kohë të shkëlqyer në eventin “Diamond League” të mbajtur në Firence.

Ndonëse e kishte në dyshim pjesëmarrjen deri në momentet e fundit në këtë aktivitet, për shkak se vinte nga një fazë përgatitore e pazakontë prej motit të paqëndrueshëm, Gega ka regjistruar një rezultat mjaft të mirë në aspektin personal. Kampionia kuqezi shënoi kohën 9:11.94, duke iu afruar me rreth 2 sekonda rekordit të saj, që sigurisht është edhe rekord kombëtar. Për sa i përket garës, në këtë event morën pjesë atletet elitare botërore, ndërsa në vend të parë u rendit etiopiania Sembro Almayeë (9:00.71).

Podiumi u plotësua nga keniania Jackeline Chepkoech (9:04.07) dhe etiopiania tjetër, Zerfe Uondemagengn (9:04.61). Më tej në finish mbërriti grupi me 7 atlete, me diferenca të ngushta kohore, ku bënte pjesë edhe Luiza Gega, e cila e mbylli e dhjeta në një garë me 15 konkurrente. Një paraqitje mjaft e mirë, për të cilën u shfaq e kënaqur edhe vetë Gega, e cila reagoi pas garës me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Ndërkohë sot Luiza mori pjesë në një tjetër garë, në mitingun ndërkombëtar në qytetin e Lukas. Kampionia e Europës u rendit e para në garën e 3000 metrave me pengesa, duke shënuar kohën 9:15.86. Gara ishte mjaft e bukur, por pa u sforcuar shumë, Gega e bëri diferencën në fund duke mposhtur kundërshtaren nga Kenia, e cila provoi ta rivalizonte. Me këto rezultate, Luiza Gega vijon të mbetet rregullisht brenda normës kualifikuese të Lojërave Olimpike, kohë të cilat të garantojnë gjithashtu edhe finalet e Kampionatit Botëror.

Kështu sezoni veror 2023 ka nisur mjaft mirë për kampionen tonë, e cila duket në formë fantastike. Ndalesat e radhës për Luizën do të jenë Lojërat Europiane që do të nisin pas dy javësh, e më pas në një tjetër “Diamond League”, në Lozanë më 30 qershor.PanoramaSport

Artikuj te ngjashem

Me te fundit