E diel, 1 Dhjetor, 2024

Qindra emigrantë shqiptarë janë kthyer në atdhe”, ministri britanik: Shumë prej tyre presin ende të nisen. Ata që janë arratisur…

Qindra emigrantë janë kthyer deri më tani në Shqipëri në bazë të marrëveshjes së arritur para pak kohësh mes dy vendeve.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i imigracionit Robert Jenrick, ndërkohë që sipas shifrave zyrtare vetëm vitin e kaluar, hynë në territorin britanik me gomone 12 mijë shqiptarë.

Në një intervistë për Skynews, ministri Jenrick u shpreh se qindra ishin planifikuar të nisen sërish, ndërkohë që ka evidentuar se shumë persona janë ende të akorduar në hotele në pritje të nisjes apo edhe janë arratisur.

I pyetur nëse mes të kthyerve janë edhe persona me precedentë kriminalë apo vetëm qytetarë të thjeshtë, ministri britanik u përgjigj vetëm me “Janë qindra prej tyre”.

Qeveria britanike njoftoi në prill se mbi 1000 shtetas shqiptarë janë kthyer në vendlindje që nga dhjetori, shifër kjo që përfshin azilkërkuesit të cilëve iu është refuzuar kërkesa, emigrantët e paligjshëm dhe kthimet vullnetare.

Jenrick e përshkroi marrëveshjen mes dy vendeve si shumë të mirë, për sa kohë mijëra emigrantë të paligjshëm shqiptarë po kthehen në shtëpi dhe numri i emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria është ulur ndjeshëm.

Në dhjetor të vitit të kaluar, kryeministri Rishi Sunak dhe Edi Rama, ranë dakord të “rrisin bashkëpunimin” në tre fusha – “çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme (me fokusin kryesor në luftën kundër krimit të organizuar dhe imigracionit të paligjshëm); rritja e investimeve; inovacioni, rinia dhe arsimi”.

Kjo përfshinte ngritjen e një task force të përbashkët migracioni midis dy vendeve për menaxhimin e emigrimit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë në Britani.

Ministri Jenrick më parë kishte deklaruar se emigrantët e paligjshëm shqiptarë duhet të përjashtoheshin nga e drejta për të kërkuar azil në Britani.

Ai vlerësoi edhe marrëveshjen e arritur me Francën për vëzhgimin e kanalit të Suezit, pasi tha se ka ndaluar një numër tepër të lartë kalimesh, referuar me periudhën e mëparshme, duke llogaritur që numri i personave që nuk janë lejuar të hyjnë në territor, është 33 mijë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit