Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot për programin e mëngjesit në “BBC” lidhur me situatën në veri të vendit.
Kurti ka thënë se nëse jo kryetarët e zgjedhur, atëherë kush duhet të jetë në ato ndërtesa.
“Nëse këto ndërtesa nuk janë për kryetarët për kënd duhet të shërbejnë atëherë. Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kjo është si duhet të jetë dhe të qëndroj”, ka thënë Kurti për “BBC”, shkruan Telegrafi.
Lidhur me kërkesën për largimin e Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale, ka thënë se “mund të rishikojmë”.
“Ne mund të rishikojmë largimin e Policisë së Kosovës nga këto ndërtesa, por së pari bandat e dhunshme kriminale të cilat kanë sulmuar dhe plagosur gazetarët, policinë tonë dhe ushtarët e NATO-s, duhet të kthehen në Serbi ose në burg”, u shpreh Kurti.
Sipas Telegraf, Kurti shtoi se ai nuk mund të bëjë kompromise për Republikën demokratike, Kosovën.
“Nuk mund të bëjë kompromise për Republikën demokratike, duke qenë kryeministri i vendit më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me policinë më profesionale e cila është e orientuar nga perëndimi”, tha ai.
Kurti shtoi më tej se Serbia nuk lejon serbët në Kosovë që të kenë më shumë e një parti.
“Unë kam në kabinetin tim ministrin serb Nenad Rashiç, i cili nuk i takon partisë së Aleksandar Vuçiç dhe ai është njeri më i urryer në Serbi. Serbia nuk lejon pluralizëm politik”, u shpreh Kurti.
I pyetur rreth mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme, Kurti u shpreh se “jam i gatshëm të dëgjoj propozimet për zgjedhje të parakohshme, por pasi që të vendoset sundimi i ligjit në vend”.