Deputeti Gazment Bardhi në fjalën e tij në Kuvend u ndal tek rasti i arrestimit të sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjithashtu ai u shpreh se Ministrja duhet të japë dorëheqjen, pasi sipas tij ky rast ka treguar qartë se në dikasterin e Ministrisë së Drejtësisë nuk është i izoluar.
DEKLARATA E GAZMENT BADHIT:
Këto ditë mësuam se qeveria e ka rritur tarifën e korrupsionit. Nga një tender modest orej 8 milionë lekësh i Ministrisë së Shëndetësisë kuptuam se tarifa e korrupsionit në qeverinë e Edi Ramës ka shkuar 40%. Kur kryeministri i sotëm i hyri politikës, ai njihej si mr.10%shi. Ky është një politikan që e bazoi karrierën e tij tek korrupsioni dhe prej 25 vitesh nuk njeh të ndalur. Sot, kemi një kryeministër me një etje të pakufoshme për pushtet. Sa më e madhe dëshira për pushtetin, aq më i madh korrupsioni. 40% vjedhin këta vetëm me një tender, por duan që populli të besojë se ky është një rast i izoluar, se këta nuk janë te gjithë kaq hajdutë. Populli thotë se peshku qelbet nga koka. Dhe ka shumë të drejtë. Aty ku ka vullnet, korrupsioni luftohet me të vërtetë. As nuk bëhet teatër, as nuk ushtrohet presion ndaj drejtësisë.
Merrni rastin e suksesshëm të Moldavisë. Aty po ndodh një luftë spektakolare kundër korrupsionit, sepse në krye të kësaj lufte qendron një kryeministre e ndershme, e zgjedhur me votë të lirë dhe që ka frymëzuar të rinjtë, profesionistët, shoqërinë moldave për t’u bërë pjesë e kësaj beteje.
Shqipëria është vite dritë larg Moldavisë. Pas dy dekadash e gjysmë në pushtet, Edi Rama jo vetëm nuk ka bërë kurrë asgjë për të luftuar korrupsionin, por ka ndërtuar një sistem shkatërrues për demokracinë.
Cili nga ju sot kolegë të maxhorancës do të dalë e të më thotë që tarifa e korrupsionit në qeverinë tuaj nuk është 40%? E keni të pamundur të mohoni faktet që SPAK-u ka sjellë në rastin e tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë. A na mjafton ne ky akt i SPAK-it? Absolutisht që jo! Prandaj, në vend që ta sulmojmë, duhet ta inkurajojmë. E di që është e vështirë, e di që qeveria, kryeministri, emisarët e tij janë në përpjekje te vazhdueshme oër të kontrolluar drejtësinë, por s’ka asnjë shpresë tjetër konkrete që diçka në këtë vend të ndryshojë për mirë!
Korrupsioni është një çështje që prek çdo aspekt të jetës sonë. Jo më kot ai zë vendet e para në çdo sondazh dhe hulumtim të shoqërisë sonë. Mbi 80% e shqiptarëve e shohin korrupsion si problem kyç dhe duan që kjo të ndryshojë. Dhe me të drejtë! Sepse korrupsioni përkeqëson shërbimin në sistemin tonë shëndetësor. Përkeqëson arsimin e fëmijëve dhe të rinjve. Korrupsioni mbyt të drejtat e njeriut. Korrupsioni vë në rrezik sigurinë kombëtare. Korrupsioni dëbon njerëzit nga atdheu i tyre. Korrupsioni zbraz buxhetin e shtetit për të mbushur xhepat e qeveritarëve. Korrupsioni dobëson njerëzit e zakonshëm dhe fuqizon njerëzit me pushtet dhe krimin e organizuar.
Çfarë vlere ka rritja e pagave, kur korrupsioni mbretëron në Shqipëri? 40% e taksave tuaj të nderuar qytetarëve vidhen. 40% e pasurive kombëtare vidhen. Mos harroni! Nga 10%, kur mori për herë të parë pushtet, Edi Rama e ka çuar në 40% taksën e korrupsionit. Mendoni sa shumë kemi humbur nga korrupsioni në shëndetësi, në arsim, në infrastrukturë. Një vend kaq i vogël dhe kaq i pasur sa ne, duhet të ishte një Zvicër në zemër të Ballkanit. Por korrupsioni na ndalon të begatohemi. Na ndalon të punojmë në vendin tonë dhe të fitojmë nga djersa jonë.