E diel, 24 Nëntor, 2024

Nga armëpushimi te zgjedhja nga baza në krye, platforma e plotë me 5 pika e grupit parlamentar për bashkimin e PD

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike zhvilloi ditën e sotme një mbledhje, ku në përfundim të saj doli me një platformë me 5 pika, që synohet bashkimi i demokratëve.

Në një njoftim zyrtar, grupi parlamentar i PD bën të ditur se nuk duhet të bëhet asnjë sulm ndaj asnjë anëtari të partisë që mendon ndryshe, PD duhet të riorganizohet dhe të mos ketë nxitim për reformën brenda PD.

PLATFORMA E PLOTË E GRUPIT TË PD:

Duke analizuar me përgjegjësi maksimale rezultatin e zgjedhjeve të 14 Majit dhe pasojave që ka sjellë ky rezultat për të ardhmen e Shqipërisë dhe interesin publik;

Duke qenë të ndërgjegjshëm për atë që qytetarët shqiptarë dhe anëtarët e Partisë Demokratike në veçanti presin nga përfaqësuesit e tyre dhe nga Partia Demokratike;

Duke qenë përpara një qeverisje që ka minuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes metodave të kundërligjshme, që mund të arrihen të kapërcehen vetëm përmes angazhimit të shumicës së heshtur të shqiptarëve që kanë humbur besimin tek politika;

Duke vijuar në të njëjtën linjë konstruktiviteti, që ka në themel vetëm interesin më të mirë të Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë, sic është vepruar edhe me qëndrimet e Grupit Parlamentar të datave 22 Mars 2023, 16 Prill 2022, 31 Tetor 2022 apo 6 Mars 2023;

Duke qëndruar të palëkundur në bindjen se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe vendet e Bashkimit Europian, është e vetmja rrugë për forcimin e Partisë Demokratike;

Duke ripërsëritur apelin se lufta e brendshme në Partinë Demokratike dobëson opozitën dhe se situata kërkon që secili të tejkalojë interesin e vet ngushtësisht personal, për të ofruar dhe gjetur zgjidhje në interes të përbashkët të të gjithë opozitarëve dhe cdo qytetari të ndershëm që pret dhe kërkon ndryshimin në vend;

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE, SHPREH QËNDRIMIN SI MË POSHTË:

1. Ndasitë në mendime dhe qëndrime për çështje të ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të shfokusojnë partinë nga misioni i saj për t’u bërë alternativë qeverisëse. Në këtë kuadër, është emergjente ndërprerja e menjëhershme e çdo sulmi, shpifje apo gjuhe urrejtje ndaj çdo anëtari të partisë apo cilido që mendon ndryshe.

2. Riorganizimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, me synim bashkimin e demokratëve, forcimin e partisë dhe ndërtimin e një partie moderne, gjithëpërfshirëse dhe që krijon besimin tek shumica e qytetarëve shqiptarë, duke angazhuar dhe afruar individë me reputacion dhe që i shërbejnë mbrojtjes së interesit publik.

3. Krijimin e një grupi pune përbashkues për ndjekjen dhe realizimin e procesit të riorganizimit, sipas një plani të qartë, transparent dhe gjithëpërfshirës, që ndjek këto hapa:

– Hapi i parë: Hapja e partisë dhe certifikimi i anëtarsisë aktuale;

– Hapi i dytë: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege;

– Hapi i tretë : Procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë.

4. Grupi i Punës që bën edhe drejtimin politik ngre grupe pune në nivel qarku për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe fuqizimin dhe organizimin e partisë pa asnjë paragjykim dhe duke shmnagur cdo rrethanë apo faktor ndarës.

5. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk mbështet asnjë proces organizimi të nxituar, të njanshëm, që nxit përçarjen dhe thellon ndasitë brenda Partisë Demokratike. Procesi duhet të synojë vetëm forcimin dhe eleminimin e debateve destruktive brenda partisë. Për këtë qëllim, duhet të tentohet ndihma, mbështetja dhe konsultimi me Partitë Popullore Europiane dhe partitë simotra./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit