Në mbledhjen që gjati për 10 orë u propozua që së pari të zhvilloheshin zgjedhje në nivel strukturash dhe më pas të zgjidhet kryetari i ri, por kjo formulë që kishte dhe mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi nuk u mbështet nga anëtarët e tjerë të kryesisë.
Përveç diskutimeve mes anëtarëve të kryesisë, në mbledhje u shënuan dhe incidente pasi në ambientet ku zhvillohej mbledhja erdhën disa nga mbështetësit e Lulzim Bashës.
Ata kanë fyer anëtarët e kryesisë dhe deputetët të cilët nuk ishin dakord që zgjdhjet për kryetarin e ri të zhvilloheshin në muajin Korrik.
Ndër deputetët që ishin në fokus të fyerjeve ka qenë Gazment Bardhi dhe Dashnor Sula.
Pavarësisht këtyre incidenteve, PD zyrtare do të vijojë procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri. Sipas vendimit të kryesisë, personat të cilët duan të jenë pjesë e garës për kryetarin e ri kanë afat deri më 20 Qershor të dorëzojnë kërkesën për kandidaturën e tyre.
Në datën 24 Qershor deri më 27 Korrik do të zhvillohet fushata e kandidatëve në të gjithë territorin e vendit.
Pas përfundimit të zgjedhjes së kryetarit të ri, brenda muajit Shtator duhet të mbahet kuvendi i jashtëzakonshëm statusor.
Pas debateve në mbledhjen e Kryesisë, Jorida Tabaku pasi nuk pranoi të ishte kryetarja e komanduar e PD zyrtare, vendosi që të dorëhiqet dhe nga posti i saj si nënkryetare e partisë.
PD do të fillojë procesin zgjedhor duke filluar që me regjistrimin e anëtarësisë së PD me të drejtë vote.
Jorida Tabaku jep dorëheqjen si nënkryetare e PD-së
Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike ku u vendos mbajtja e zgjedhjeve për kryetarin e ri më 29 Korrik, Jorida Tabaku, ka dhënë një deklaratë për mediat. Gjatë fjalës së saj, Tabaku ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i saj si nënkryetare e PD-së.
Tabaku thotë se ka refuzuar të votojë për një vendim, për të cilin shprehet se e dëmton PD-në për mënyrën dhe në kushtet që është ndërmarrë.
Jorida Tabaku: Kryesia e PD mbas një mbedhje 8 orë të gjatë vendosi për të vazhduar përpara me procesin e zgjedhjeve në parti. Kërkesa ime dhe dëshira ka qenë e vetme dhe e thjeshtë, mos nxitohemi dhe t’i japim demokratëve një proces të drejtë, real dhe që na nderon. Të gjithë ishim dakord për faktin që PD duhet të riorganizohet por nuk gjetëm gjuhën e përbashkët për mënyrën se si duhet të riorganizohemi. I kërkova kryesisë të mos marrim vendim të nxituar, çdo vendim i njëanshëm thjesht do të zvogëlojë edhe më shumë partinë tonë dhe nuk do ta zmadhojë atë. Në kushtet që jemi ne nuk kemi luksin të përsërsim të njëjtat gabime!
Pyetja që sot duhet t’i bëjmë vetes është nëse duam një parti të kryetarit apo kryetar për partinë tonë? Ne duhet patjetër të hapim PD, duhet të përpiqemi mos bëjmë procese të njënashme, duhet të përfshijmë këdo. Me vlerësimet maksimale për deputetët dhe kontributin e tyre, kolegjit të kryetarëve dhe kontributin e tyre dhe të gjithë ato që kanë qëndruar. I premtova anëtarëve të kryesisë që do të qëndroj deri në fund, derisa mund të gjejmë një zgjidhje që i përfshin të gjithë në process. Të mos nxitohemi!
Pas vendimit të kryesisë për të vazhduar procesin zgjedhor, kërkova që të gjejmë një dakordësi për mënyrën si. Në gjykimin tim veprimet e tilla të njëanshme si në të shkuarën kanë ndikuar në zvogëlimin e PD dhe kanë sjellë në një situatë si kjo e sotmja. Prandaj refuzova të votoj për një vendim që në mendimin tim na dëmton sot për mënyrën se si po merret dhe në kushtet në të cilat po merret! Duke pasur parasysh gjithë situatën, vendosa që të tërhiqem edhe nga pozicioni i nënkryetares së PD!
Sjellim në vëmendje se vendimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së me 29 Korrik, u miratua me 17 vota pro, 2 vota kundër dhe 3 abstenime. Sipas vendimit, kandidatët që duan të hynë në garë për drejtimin e partisë, paraqesin kërkesën për kandidim brenda datës 20 Qershor 2023.
Incidentet nga mbështetësit e Bashës, Gazment Bardhi: Sjellje prej grupimi paramilitar
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka dënuar incidentet e shkaktuara nga mbështetësit e Lulzim Bashës në mbledhjen e Kryesisë së PD që u mbajt në mbrëmjen e së martës dhe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Bardhi, në reagimin zyrtar, thotë se dhuna verbale dhe presionet ndaj deputetëve të PD-së nuk janë mjete politike dhe kushdo duhet të distancohet nga këto akte.
“Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD. Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Gazment Bardhit.
Në mbledhje u vendos që zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së të mbahen më 29 Korrik.
Në mbledhje u shënuan dhe incidente pasi në ambientet ku zhvillohej mbledhja erdhën disa nga mbështetësit e Lulzim Bashës. Ata kanë fyer anëtarët e kryesisë dhe deputetët të cilët nuk ishin dakord që zgjdhjet për kryetarin e ri të zhvilloheshin në muajin Korrik.
Incidentet e shkaktuara nga mbështetësit e Bashës/ Ori Nebiaj dhe Flamur Hoxha largohen nga Kryesia e PD
Deputetët e PD-së Ori Nebiaj dhe Flamur Hoxha janë larguar si anëtarë të Kryesisë së PD-së pas incidenteve që ndodhën në mbledhjen e Kryesisë.
Kanë qenë mbështetës të Lulzim Bashës ata të cilët ushtruan presione dhe dhunë verbale ndaj deputetëve të PD-së dhe anëtarëve të Kryesisë.
Edhe kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi dënoi dhunën verbale të ushtruar ndaj deputetëve të PD nga mbështetësit e Bashës. /btvnews.al