I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se nuk do që të presë për zgjedhje të reja atje deri në muajin korrik. “Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat [komunale], Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth [këtyre] ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen”, tha Escobar gjatë një konference për gazetarët në Beograd. “Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte”, shtoi ai. Escobar tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka siguruar se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për t’i bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet eventuale.
“Sfida më e madhe për Serbinë është t’i bindë serbët që të kthehen në institucionet [e Kosovës]. Tani kjo është ajo ku unë mendoj se ne jemi në linjë me Serebinë. Ne duhet të sigurohemi se ata që marrin pjesë në zgjedhje dhe serbët që kthehen në institucione, janë të mirëpritur”, tha zyrtari i lartë amerikan. I pyetur nëse ka ndonjë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me propozimin evropian për shtensionimin e situatës në veri, Escobar tha se diskutimet mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të vazhdojnë edhe pas largimit të këtij të fundit sot nga Beogradi.
“Nuk e di nëse ka pasur ndonjë përgjigje konkrete nga Qeveria e Kosovës. Shpresoj se Qeveria e Kosovës e kupto se ajo që ne po përpiqemi të arrijmë, është një rezultat i qëndrueshëm dhe reciprokisht i dobishëm për të dyja vendet”, tha Escobar, duke shtuar se nuk i ka dhënë ndonjë afat Kurtit. Ai theksoi se partneriteti i SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar me Kosovën “është i hapur”. Por, nëse Qeveria e Kosovës, shtoi ai, merr hapa të njëanshëm dhe largohet nga partneriteti me komunitetin transatlantik, “kjo vetvetiu është një pasojë”. Escobar tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, sepse “në rast se do t’ia kthenin shpinën atij, do t’ia kthenin shpinën Evropës”.
“Kjo, në vetvete, është një pasojë shumë e rëndë”, tha ai. Escobar theksoi se SHBA-ja është e përkushtuar që ta ndihmojë edhe Kosovën, edhe Serbinë që ta zgjidhi këtë krizë në një mënyrë që përfitojnë të dyja palët. “Ka kaq shumë potencial në këtë pjesë të botës. Nuk mund ta humbasim këtë fakt”, ta ai. Escobar përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për Qeverinë e Kosovës. “Në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin. Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë qeveri apo me qeverinë e ardhshme”, tha Escobar. Sipas tij, të dyja palët – Kosova dhe Serbia – duhet të përqendrohen në planin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve dhe të ecin përpara me Asociacionin.
“Unë ende mendoj se mund t’i kemi të gjitha elementët, shumicën e elementeve, të realizuara këtë vit kalendarik”, tha Escobar. I pyetur nëse sheh ndonjë ndikim të Rusisë në këtë situatë, ai tha se Rusia përfiton nga përçarjet brenda Evropës dhe se ajo nuk është e interesuar të shohë zgjerim të Bashkimit Evropian. “Ajo që po ndodh tani në Kosovë, është një problem i pazgjidhur prej kohësh mes grupeve të ndryshme. Ai ka ekzistuar para krizës aktuale në Ukrainë, por kriza në Ukrainë e bën më të rëndësishëm për t’u zgjidhur. Por, [problemi] nuk gjeneron tërësisht nga Rusia”, tha Escobar./rel