E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Analiza e Rel: Mocion mosbesimi ndaj Qeverisë për të shmangur pasojat nga Perëndimi?

Nuk ka pasur kërkesa eksplicite ndaj partive opozitare në Kosovës nga ana e të dërguarve të posaçme të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, dhe të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, thonë zyrtarët e këtyre partive. Lajçak dhe Escobar, më 6 maj, u takuan me liderët e tri partive opozitare në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Siç thonë zyrtarët e këtyre partive, në takim me diplomatët perëndimorë, kanë diskutuar lidhur me krizën aktuale në veri të Kosovës dhe kërkesat e Perëndimit ndaj Qeverisë së Kosovës për të dalë nga gjendja e krijuar atje.

Njohësi zhvillimeve politike, Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare Lëvizja Çohu, beson se Lajçak dhe Escobar kanë diskutuar me partitë opozitare edhe për mundësitë alternative për të dalë nga situata e krijuar. Kriza në veri, por edhe në raportet e Kosovës me partnerët perëndimorë, kanë nisur si pasojë e veprimeve të autoriteteve të Kosovës, të cilët me ndihmën e policisë kanë mundësuar hyrjen në objektet komunale në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan të kryetarëve të rinj shqiptarë, më 26 maj. Ata janë kundërshtuar nga qytetarët serbë në komunat në veri të Kosovës, të cilët kanë bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit për kryetar të këtyre komunave. Kundërshtimet janë manifestuar me protesta, të cilat kanë rezultuar me përplasje të protestuesve më Policinë e Kosovës, por edhe më pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, më 29 maj, ku pati disa dhjetëra të lënduar nga të dyja palët.

Lajçak dhe Escobar, gjatë vizitës së fundit në Kosovë, më 5 dhe 6 qershor, kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut, si dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Të dy diplomatët perëndimorë kanë thënë se lidhur me këto kërkesa, presin një përgjigje nga kryeministri Kurti, deri ditën e premte. Të dy emisarët kanë vizituar edhe Beogradin dhe kanë kërkuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, qetësimin e situatës në veri të Kosovës, si dhe që ai të ndikojë te qytetarët serbë atje për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja lokale.

Për pasojat “është biseduar sipërfaqësisht”
Vlora Çitaku, nënkryetare e partisë më të madhe opozitare, PDK, thotë për Radion Evropa e Lirë se takimi me Lajçakun dhe Ecobarin ka qenë i rregullt. Takimi, sipas saj, ka qenë në frymën e informimit rreth zhvillimeve aktuale politike në Kosovë, si dhe “për ngritjen e alarmeve të shqetësimit për raportet e rënduara ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj”. Se a është folur lidhur me masat eventuale që BE-ja dhe SHBA-ja mund të marrin ndaj Kosovës në rast se Kurti nuk i pranon kërkesat e partnerëve perëndimorë, Çitaku nuk ka specifikuar se për çfarë masash eventuale është biseduar.

“Është folur vetëm sipërfaqësisht. Sigurisht që ne kemi kërkuar që Kosova mos të pësojë për shkak të një njeriu. Kosova është më e madhe se një individ dhe nuk i takon një njeriu dhe Kosova nuk duhet ta paguajë çmimin e sjelljes amatoreske dhe aventureske të kryeministrit Kurti”, thotë Çitaku. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson se në takimin me Lajçakun dhe Escobarin është folur për shqetësimet lidhur me situatën në veri të vendit dhe për ngërçin e krijuar në raportet e Qeverisë së Kosovës me partnerët perëndimorë. Ai thotë se nuk është folur shumë për pasojat e mundshme për Kosovën në rast se kryeministri Kurti nuk pranon kërkesat e këtyre partnerëve.

“Ky ballafaqim i ndërmjetësit ndërkombëtar dhe të dërguarit amerikan është me këtë pjesë [Qeverinë e Kosovës], sepse ata janë bartësit kryesorë. Ata janë përgjegjësit kryesorë dhe në këtë rast ata do të bartin pasojat kryesore. Dhe neve na gëzon fakti që nuk do të ketë pasoja kolektive”, thotë ai. As Haziri nuk saktësoi se për çfarë pasojash eventuale mund të bëhet fjalë. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën, më 7 qershor, ka shprehur mendimin para mediave se veprimet e Qeverisë së Kosovës, duhet të ndodhin brenda afatit të caktuar nga partnerët perëndimorë.

Në të kundërtën, ai tha se opozita e ka numrin e domosdoshëm për të iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës. “Mocioni është zgjidhja e duhur, është demokraci dhe kjo do të ishte e dobishme për gjithë spektrin politik, përshirë edhe për shumicën në pushtet. Votat janë. Opozita e ka numrin e nevojshëm për të iniciuar mocionin”, tha Haradinaj.

Demhasaj: Mocioni i mosbesimit mund të jetë i koordinuar
Njohësi i proceseve politike, Arton Demhasaj nga Lëvizja Çohu, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk përjashtohet mundësia që në takimin e Lajçakut dhe Escobarit me përfaqësuesit e partive opozitare, të jetë biseduar edhe për mundësinë e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Ai beson se një ide e tillë është në përputhje edhe me deklaratën e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha më 6 qershor se nuk mbështet një individ që “nuk ka instinkt bashkëpunimi”, duke aluduar te kryeministri Kurti. “Mund të jetë edhe një lloj ‘kërcënimi’ ndaj Qeverisë se ‘nëse ju nuk lëvizni, atëherë ne gjejmë partnerë të tjerë dhe ecim tutje dhe nuk mbetet situata e bllokuar’. Pra, edhe inicimi i mocionit të mosbesimit nga ana e AAK-së, nuk mendoj që është kot, por thjesht mund të jetë si diçka e koordinuar me amerikanët”, shprehet Demhasaj.

Opozita, e ndarë për mocionin

Për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë nevojiten votat e 40 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për të kaluar një mocion i tillë janë të domosdoshme së paku 61 vota të deputetëve, nga numri i përgjithshëm prej 120 deputetësh sa ka Kuvendi i Kosovës. Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, ka 57 deputetë në Kuvend. Nga partitë opozitare, PDK-ja ka 18 deputetë, LDK-ja ka 16, ndërkaq AAK-ja ka tetë deputetë. Të tri këto parti së bashku kanë 42 deputetë, që është numër i mjaftueshëm për të iniciuar një mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit.

Grupi parlamentar multietnik ka tetë deputetë, ndërkaq 13 të tjerë janë pa grup parlamentar, ku bëjnë pesë edhe nëntë deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ka edhe deputetë që janë pjesë e shumicës parlamentare dhe jashtë saj, që mund të votojnë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Por, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se realisht partitë opozitare së bashku kanë rreth 40 vota dhe ato nuk duhet të përqendrohen tash në “taktizimet e vogla politike”. Ajo thotë se kryeministri Kurti duhet të reflektojë dhe të koordinojë hapat e mëtejmë me partnerët perëndimorë.

“PDK-ja do të përdorë të gjitha instrumentet politike dhe parlamentare për t’ia pamundësuar kryeministrit [Kurti] rrënimin e të ardhmes euroatlantike të Kosovës”, thotë ajo, pa saktësuar se a do ta mbështesë PDK-ja një mocion eventual mosbesimi ndaj Qeverisë. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se situata, në rrethanat aktuale, nuk është në interes të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë. “Pozita e opozitës është shumë e shkurtër në kërkesën që ka iniciuar ish-kryeministri Haradianj, si kryetar i AAK-së. Është një numër i caktuar i deputetëve që mund të shkaktojnë mocion, por që mocioni përfundon me debat dhe pa sukses. LDK-ja nuk është e interesuar të hyjë në një mocion pa sukses”, thekson Haziri.

A po e pret opozita momentin për mocion?
Por, Arton Demhasaj nga Lëvizja Çohu, thotë se nisma e AAK-së për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, megjithatë, nuk është bërë kot. Sipas tij, situata të ngjashme, kur partitë opozitare kanë deklaruar se nuk e përkrahin një mocion, kanë ndodhur edhe më parë, deri në ditën kur mocioni ka hyrë në Kuvend.

“Pra, nuk e pranojnë paraprakisht. Mbase aktualisht janë duke e shikuar situatën momentale, se deri ku mund të shkojë Qeveria dhe a po reflekton ajo ose jo ndaj kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë. Nëse ka reflektim, atëherë edhe mund të mos ketë mocion dhe të mos mblidhen nënshkrimet formale të nevojshme. Por, në rast se Qeveria nuk reflekton dhe nuk e respekton afatin që e kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë, atëherë mocioni e merr seriozitetin, mblidhen nënshkrimet dhe shpejt mund të shkojë edhe në Kuvend. Emisari amerikan, Gabriel Escobar, ka deklaruar se afati për marrjen e një përgjigjeje nga kryeministri Kurti lidhur me kërkesat e partnerëve perëndimorë, nuk nënkupton ultimatum për Qeverinë e Kosovës, por është afati kur ai duhet të raportojë në Shtëpinë e Bardhë lidhur me rezultatet e vizitës në Kosovë dhe Serbi. Po të njëjtën ditë, edhe emisari evropian, Mirosllav Lajçak, do të raportojë te shefi i diplomacisë të BE-së, Josep Borrell.

Megjithatë, gjatë qëndrimit në Beograd, më 7 shtator, Escobar tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja. Ai përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për Qeverinë e Kosovës dhe se “nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin”.

“Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë qeveri apo me qeverinë e ardhshme”, tha Escobar. Marrëveshjen për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia e kanë arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Por, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për ta zbatuar atë, Kosova vazhdimisht ka refuzuar me arsyetimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do ta kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit