Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, po ashtu ka konfirmuar dhe masat e sigurisë për 9 personat e tjerë të akuzuar.
Pas seancës që zgjati disa orë, avokati i Dakos, Petrit Ismaili, u shpreh për mediat se prokuroria nuk paraqiti asnjë provë të re që të justifikojë nevojën e masës së sigurisë “arrest me burg”.
“Gjykata sot vendosi vijimin e masës së sigurimit të dhënë nga po kjo gjykatë me datën 6 Qershor. Vendimi për mendimin tonë është në disproporcion të plotë me veprën penale që i atribuohet zotit Dako me kohën e kryerjes së veprës penale, por edhe me nevojat e sigurimit për zotin Dako.
Ai po hetohet për një fakt penal historik tashmë. Ka 10-12 vjet që pretendohet se ka ndodhur vepra penale që i atribuohet. Për këto lloj masa sigurimi kërkohet një veprim procedural i ngutshëm që i kërkohet prokurorit për të marrë këtë masë. Vepra penale ka mbi 10-12 vjet.
Prokurori nuk paraqiti asnjë provë për të justifikuar këtë nevojën e ngutshme të këtij veprimi të ndërmarrë. Nuk paraqiti asnjë provë ku të justifikojë kushtet dhe kriteret për vendosjen e masës së sigurimit. Thjesht ngeli në kuadrin deklarativ”, tha avokati.
Ai u shpreh se kërkoi në gjyq ndryshimin e masës së sigurimit dhe se nuk është dakord me vendimin e gjykatës dhe so e ankimojë atë./btvnews.al