E shtunë, 23 Nëntor, 2024

VIDEO – Pezullohen 118 patenta për 72 orë, policia gjobit shoferët e dehur dhe ndësshkon ata që bënin gara me 174 km/h

Policia Rrugore ka vijuar kontrollet në rrugë të ndryshme të vendit dhe ka zbuluar një sërë shkeljesh. Në një njoiftim për mediat, policia ben me dije se nga kontrollet e zhvilluara gjatë natës janë zbuluar shoferë që lëviznin tej normave të lejuara.

Po ashtu janë ndaluar dhe shoferë të dehur, të cilët janë ndëshkuar deri në heqje patente. Gjatë 72 orëve të fundit janë pezulluar gjithsej 118 leje drejtimi.

NJOFTIMI I PLOTË:

Njësia Operacionale e Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Njësinë e Policisë Rrugore për sigurinë rrugore në Autostradën Milot-Morinë, Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore dhe Sektorët e Policisë Rrugore në qarqe, kanë vijuar monitorimet edhe gjatë natës, duke përdorur mjete inteligjente, radarë automatikë, dronë, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues.

Gjatë 72 orëve të fundit, nga monitorimet me Poliscan, gjatë orëve të vona të natës janë konstatuar shpejtësi nga 150 km/h deri në 174 km/h, në zona ku shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/h.

Si rezultat i monitorimeve, gjatë 72 orëve janë pezulluar gjithsej 118 leje drejtimi, nga të cilat: 88 leje drejtimi janë pezulluar për qarkullim me shpejtësi deri në 174 km/h; 19 leje drejtimi janë pezulluar për drejtim mjeti, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur;  11 leje drejtimi janë pezulluar për qarkullim në sens të kundërt.

12 drejtues mjetesh të arrestuar, nga të cilët 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë vendosur 2457 masa administrative: për shpejtësi mbi normën e lejuar; për shpejtësi dhe përdorim celulari; për shpejtësi dhe mosvënie të rripit të sigurimit; për shpejtësi, përdorim celulari dhe mosvënie të rripit të sigurimit gjatë drejtimit të automjetit; për parakalime të gabuara; mosvendosje të kaskës mbrojtëse etj. Monitorimi me mjetet inteligjente vijon në të gjitha rrugët e vendit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha rrugët monitorohen nga mjetet inteligjente dhe patrullat e lëvizshme të Policisë Rrugore. Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit